Lidhje

SHBA: Ekspozitë e piktorit Ilir Fico për Nënë Terezën

  • Ardita Simiçia

Ambasada e Vatikanit u hap këtë javë për të pritur vizitorë për ekspozitën e piktorit shqiptar Ilir Fico me punime të frymëzuara nga Nënë Tereza. Ekspozita, që ishte nismë e përbashkët e ambasadave të Shqipërisë dhe Vatikanit në Uashington, përkon me 5-vjetorin e lumnimit të humanistes së madhe shqiptare dhe synon t’u kujtojë vizitorëve bukurinë e një jete të nxitur nga dashuria dhe vetmohimi.

Pas një jete në përkushtim të të vuajturve dhe të harruarve, Nënë Tereza ka mbetur në mendjet e njerëzve si simbol i vetëmohimit dhe i humanizmit. Për piktorin shqiptar Ilir Fico, ajo është shndërruar edhe në një frymëzim të pashtershëm artistik. Këtë javë Ambasada shqiptare dhe Përfaqësia e Vatikanit në Uashington organizuan një mbrëmje për të prezantuar veprën e piktorit Fico, dhe për të përkujtuar humanisten e madhe shqiptare në 5-vjetorin e Lumnimit të saj.

Piktori Fico, i cili njihet për punimet e tij moderniste, ka përjetësuar Nënë Terezën në telejon e tij në nje numer veprash, shumë prej tyre me motive nga natyra, pasi, siç shpjegon artisti, natyra, Zoti është dashuri mbi të gjitha.

Dhe në sytë e autorit Nënë Tereza është mishërimi i dashurisë për njerëzimin. Ai thotë se tek vepra e saj shikon dashurinë, bujarinë, zemrën e gjerë.

Janë tiparet më të mira të njerëzimit, por për piktorin Ilir Fico, janë mbi të gjitha pasqyrim i tipareve më të mira të shqiptarit:

“Unë e konsideroj Nënë Terezën si shpirtin e vërtetë të shqiptarit dhe shqiptarisë dhe është frymëzim për të gjithë për nënën, për fëmijën dhe për të gjithë.”


Një mesazh që ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Aleksander Sallabanda, thekson se duhet vënë vazhdimisht në dukje, pasi populli shqiptar krenohet me Nobelisten dhe bamirësen më madhe të kohës sonë:

“Vetë përvjetori siç ishte ai i Lumturimit të Nënë Terezës ishte një nxitje shumë e madhe për ta përkujtuar këtë personalitet kaq të madh dhe të rëndësishëm. Nënë Tereza e donte shumë Shqipërinë, dhe populli shqiptar krenohet dhe e do shumë Nënë Terezën."


Gjithçka në ekspozitë, shpjegon përfaqësuesi i Papa Benediktit në Shtetet e Bashkuara, Arqipeshkvi Pietro Sambi, është frymëzuese dhe të kujton forcën shpirtërore dhe vetmohimin e bamirëses, të cilën ai e ka takuar disa herë në vende të ndryshme në misionet e saj.

Ai veçon një nga pikturat e tij të preferuara për të shpjeguar interpretimin e tij të lidhjes mes pikturës me titull Bukuri nga Shemtia dhe veprës së Nënë Terezës.

“Të varfërit, nganjëherë janë të shëmtuar, të pistë, nuk janë të arsimuar mirë. Por ajo ishte në gjendje të shihte bukurinë e shpirtit të të varfërve dhe t’i ndihmonte të dilnin nga varfëria, nga ajo materiale, por sidomos nga ajo shpirtërore, morale dhe intelektuale. Prandaj ky titull “Të rrisësh bukurinë nga shëmtia” është në fakt në dedikim të bukurisë që përfaqësonte Nënë Tereza."

Gjatë jetës së saj Nënë Tereza nuk rendi asnjëherë pas lëvdatave dhe duartrokitjeve. Siç kujton Arqipeshkvi Sambi, ajo ishte një grua gjithmonë me ngut për të përmbushur misionin të cilit ia dedikoi jetën. Dhe në këtë mbrëmje artistike, Arqipeshkvi shpreh bindjen se vizitorët do të gjejnë tek punimet e piktorit Fico bukurinë shpirtërore të Nënë Terezës dhe do të largohen me më shumë paqe në zemrat e tyre. Një dhuratë që i ka lënë bamirësja njerëzimit, megjithëse është ndarë nga jeta.//ii

XS
SM
MD
LG