Lidhje

Ndikimi i SHBA mund të ulet në dy dekadat e ardhëshme

  • Zëri Amerikës

Në një raport të ri të agjencive amerikane të zbulimit thuhet se në dy dekadat e ardhëshme ndikimi i Shteteve të Bashkuara mund të pakësohet dhe se disa vende, ekonomitë e cilave po fuqizohen së tepërmi, si Kina dhe India do të kenë një ndikim më të madh në çështjet globale.

Raporti i Këshillit Kombëtar të Shërbimeve të Zbulimit për sigurinë afatgjatë botohet çdo katër vjet dhe pasqyron konkluzionet e arritura nga të gjitha agjencitë amerikane të zbulimit.

Agjencitë amerikane të zbulimit parashikojnë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë fuqia më e madhe botërore nga potenciali ekonomik dhe ai ushtarak. Por në raport thuhet se ndikimi amerikan do të pakësohet gjatë dy dekadave të ardhshme dhe se dollari do të dobësohet. Raporti parashikon një zhvendosje globale nga Perëndimi në Lindje përsa i përket pasurisë dhe fuqisë ekonomike dhe thekson se Kina dhe India mund të bëhen krahas me Shtetet e Bashkuara superfuqi në një botë shumëpolëshe.

Në raport thuhet se disa shtete, si Indonezia, Irani, dhe Turqia, do të kenë një rol më të madh se sa sot në arenën globale. Në raport thuhet gjithashtu se nuk është e qartë, në se Kina dhe Rusia do të ecin drejt demokracisë.

Metju Bërrou, autor i raportit, thotë se përsa i përket Lindjës së Mesme, problemet atje do të vazhdojnë.

“Një Iran që përpiqet të sigurojë armë bërthamore mund të shkaktojë një garë armësh në Lindjen e Mesme. Sipas parashikimeve tona, në këto kushte do të shtohet mundësia për paqëndrueshmëri dhe konflikte.

Raporti parashikon mundësinë e rritjes së kërcënimit terrorist. Por ndikimi i Al-Kaidës sipas raportit, pritet të dobësohet, si rezultat i pakësimit të përkrahjes nga bota myslimane.

“Çështja qëndron në faktin se terroristët i kanë shkaktuar dëme vetvetes me dhunën që kanë shkaktuar duke bërë të vuajnë shumë civilë të pafajshëm myslimanë”.

Në Raport thuhet se deri në vitin 2025 popullsia e botës do të shtohet me më shumë se një miliardë banorë. Rritja ekonomike dhe shtimi i popullsisë, thuhet në raport, do të shkaktojë vështirësi në furnizimin me ushqim, ujë dhe energji, sfida këto që mund të ndezin konflikte të reja.

Në raport thuhet, se përveç qeverive, në vendimmarrjen globale do të ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si bizneset, organizatat fetare, madje edhe organizatat kriminale. //ii

XS
SM
MD
LG