Lidhje

Barak Obama: Ekipi ekonomik do të fillojë  menjëherë  punën

  • Kejn Farabau
  • Çikago

Presidenti i zgjedhur Barak Obama prezantoi dje ekipin e tij ekonomik. Në postin e Sekretarit të Thesarit ai emëroi Presidentin e Rezervës Federale në Nju Jorkut, Timothy Gaithner.

Në kushtet kur tregu i aksioneve ka shënuar shifrat më të ulëta në 5 vjet, kur kompanitë e prodhimit të makinave në Shtetet e Bashkuara janë në prag të falimentitmit dhe miliona amerikanë po ndjejnë pasojat e papunësisë dhe rrezikojnë të humbin shtëpitë, Presidenti i zgjedhur Barak Obama theksoi rëndësinë e faktit që ekipi i tij ekonomik të fillojë nga puna sa më shpejt që të jetë e mundur.

"Po ndeshemi me një krizë ekonomike me përmasa historike, tregjet tona financiare janë në ditë të vështira, shitja e shtëpive të reja shënoi muajin e kaluar shifrën më të ulët në gjysëm shekulli. Kohët e fundit, mbi gjysëm milioni njerëz plotësuan dokumentet e papunësisë, një shifër kjo më e larta në 18 vjet. Në se nuk marrim masa të menjëhershme dhe të guximshme, shumica e ekspertëve tani besojnë se mund të humbim miliona vende pune vitin e ardhshëm."- tha ai.

Presidenti i zgjedhur Barak Obama zgjodhi për postin e Kryetarit të Rezervës Federale, Presidentin e Rezervës Federale të Nju Jorkut, Timothy Geithner, i cili ka një eksperiencë të gjerë në shumë fusha të industrisë amerikane të bankave. Presidenti i zgjedhur shpreson që i emëruari i tij të dërgojë një mesazh se administrata e ardhshme i kupton problemet që kanë pllakosur sistemin financiar.

"Eksperienca e tij e gjerë ndërkombëtare e bën Timin personin më të përshtatshëm për këtë punë. Ai ka jetuar një pjesë të viteve të fëmijërisë në Afrikë, ka jetuar dhe punuar në disa vende aziatike; ka qenë Nënsekretar i Thesarit për Çështje Ndërkombëtare, një nga rolet e tij të shumta në arenën ndërkombëtare; ai njeh kinezçen dhe japonezçen dhe kjo i jep atij mundësinë të kuptojë gjuhën e tregjeve të sotme ndërkombëtare në shumë mënyra."


Presidenti i zgjedhur Barak Obama po ashtu bëri të njohur se ish-Sekretari i Thesarit, Larry Summers, ish-punonjës me eksperiencë i administratës së Presidentit Clinton, është zgjedhja e tij për postin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Ekonomik, një pozicion që e bën atë njërin nga këshilltarët kryesorë ekonomikë të zotit Obama.

Barak Obama shpreson që të dy burrat do të miratohen pa humbur kohë në seancat me pyetje-përgjigje të Kongresit, në mënyrë që të fillojnë menjëherë nga puna për planin për stimulimin e ekonomisë amerikane dhe paketën e ndihmës financiare për shpëtimin e industrisë amerikane të prodhimit të makinave në vështirësi.

Por mbeten ende dy muaj nga koha kur do të fillojë ndryshimi i administratës. Edhe në këto kushte, Presidenti Bush, i cili sapo është kthyer nga Takimi i APEK-ut në Lima të Perusë, thotë se Sekretari aktual i Thesarit Henri Polson po bashkëpunon ngushtë me Presidentin e Zgjedhur Barak Obama, ndërsa qeveria aktuale po punon për t’i dhënë një sasi prej 20 miliardë dollarësh gjigandit financiar City Grup, që po përjeton kohë të vështira.

"Paulson po bashkëpunon me ekipin e tranzicionit. Është e rëndësishme që populli amerikan ta dijë se ekziston një bashkëpunim i ngushtë. Është e rëndësishme që të ruajmë sistemin financiar dhe ky është hapi parë që duhte të ndërmarrim," - tha zoti Bush.

Presidenti i zgjedhur Obama po ashtu bëri të njohur dy anëtarë të tjerë të rëndësishëm të eikpit të tij ekonomik, historianen Kristina Romer, në postin e Kryetares së Grupit të Këshilltarëve të tij Ekonomikë në Shtëpinë e Bardhë dhe eksperten e politikave Melody Barnes, si Drejtoreshë të Këshillit të Politikave të Brendshme.//lk



XS
SM
MD
LG