Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi në administratën e Presidentit Obama


Kur presidenti i zgjedhur, Barack Obama, të fillojë detyrën pasi të bëjë betimin më 20 janar, ai do të ketë përpara një sërë çështjesh të brendëshme dhe jashtme, përfshirë edhe politikën që do të ndjekë në marrëdhëniet me Rusinë.

Shumica e analistëve janë të mendimit se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës nuk janë të mira. Disa ekspertë përdorin termat “të varfëra”, “të tensionuara” dhe “në një nivel shumë të ulët” për t’i përshkuar këto. Marshall Goldman, profesor i Universitetit Harvard thotë se të dy palët kanë faj për përkeqësimin e marrëdhënieve.

“Shtetet e Bashkuara nën Presidentin George Bush, ndoqën disa politika që rusët i shikojnë si të njëanëshme dhe si përpjekje për të dobësuar pozitat e Rusisë në sistemin politik botëror. Në të njejtën kohë, rusët bënë disa gjëra dhe në veçanti luftën në Gjeogji, që i irritoi amerikanët dhe udhëheqësit amerikanë”.

Profesor Goldman thotë se vitet e fundit, ndërsa pozita ekonomike e Rusisë në skenën botërore u forcua si rezultat i çmimeve të larta të naftës, Moska u përpoq të rifitonte vendin e saj si superfuqi ndërkombëtare, gjë që solli përplasjet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara, pasi Amerika kishte mbetur e vetmja superfuqi botërore pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Ekspertët thonë se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës u acaruan ndjeshëm këtë vit, pas luftës 5 ditëshe në muajin gusht me Gjeorgjisë dhe Rusisë. Shtetet e Bashkuara kritikuan ashpër ndërhyrjen masive ushtarake të Rusisë në Gjeorgji, pas përpjekjes së dështuar të Tbilisit për të marrë nën kontroll kryeqytetin e rajonin separatist të Osetisë Jugore.

Presidenti amerikan Xhorxh Bush e paralajmëroi Moskën se arroganca dhe kërcënimet nuk janë praktikat e shekullit të 21-të në politikën e jashtëshme. Megjithatë, analistët thonë se problemi kryesor mes Uashingtonit dhe Moskës mbetet plani i administratës Bush për vendosjen e një sistemi mbrojtës nga raketat në Evropën Lindore, 10 raketa interceptuese në Poloni dhe një stacion radari në Republikën Çeke. Zyrtarët amerikanë thonë se kjo lloj mbrojtjeje është e nevojshme për të përballuar kërcënimet e mundëshme nga vende të tilla si Irani dhe nuk është kundër Rusisë.

Por siç shpjegon Profesor Robert Legvold i Universitetit Kolumbia, Moska e kundërshton me forcë këtë sistem. “. . . sepse ajo beson se motivi kryesor i Shteteve të Bashkuara nuk është mbrojtja nga kërcënimi i raketave iraniane, edhe pse vendosja e raketave në Poloni dhe në Republikën Çeke nuk është e atyre përmasave që të përbëjë kërcënim serioz për kapacitetin bërthamor të Rusisë, por është dobësimi i Rusisë”.

Se sa e rëndësishme është kjo çështje për Rusinë u duk qartë vetëm disa orë pas zgjedhjet së Barak Obamës president. Në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, u kërcënua se do të vendoste raketa të precizionit të lartë me rreze të shkurtër në Kaliningrad, një enklavë ruse në zonën e Detit Balltik, mes Polonisë dhe Lituanisë, dy aleate të NATO-s, në qoftë se administrata Obama do të vërë në zbatim planin e Presidentit Bush për mbrojtjen nga raketat. Shumë analistë, përfshirë edhe Xhejsën Lioll, profesor në Universitetin Pricton, thonë se kjo ishte një sfidë direkte ndaj presidentit të zgjedhur amerikan.

“Ky veprim është veçanërisht interesant po të krahasohet me ato të udhëheqësve sovjetikë. Të paktën, sovjetikët do të prisnin deri sa presidenti i zgjedhur të fillonte detyrën dhe pastaj do ta sfidonin atë. Mendoj se ajo që do të realizojë Medvedevi është ta bëjë Rusinë një nga lojtarët kryesorë ndërkombëtarë. Ai do ta vërë Rusinë në pozita të barabarta me Shtetet e Bashkuara”.

Uilliam Drozhiak, ekspert i çështjeve evropiane dhe President i Këshillit Amerikan për Gjermanisë, thotë se paralajmërimi i Medvedevit u bë në një kohë shumë të papërshtatshme nga pikpamja diplomatike. “Nuk u shërben interesave të Rusisë ta vënë në pozitë të vështirë Obamën. Në qoftë se Medvedevi e ka me të vërtetë seriozisht një gjest të tillë agresiv, çdo president amerikan, republikan apo demokrat, që mendon se po vihet në provë nga Rusia, do të tregojë forcë, dhe në mënyrë të veçantë në fillim të administratës së tij”.

Presidenti i zgjedhur Barak Obama nuk reagoi ndaj deklaratës së Presidentit Medvedev. Këshilltarët e tij thonë se ai e mbështet sistemin e mbrojtjes nga raketat, por vetëm në qoftë se teknologjia provohet e suksesshme. Këshilltarët e tij thonë se zoti Obama synon të bashkëpunojë me Rusinë për të paksuar arsenalet e armëve bërthamore, për të patur më në fund një botë pa armë bërthamore.

Gjatë takimit ekonomik të nivelit të lartë kohët e fundit në Uashington, Presidenti Medvedev foli me një ton pajtues, duke thënë se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës do të përmirësohen në administratën Obama. Por Por për sa i përket sistemit mbrojtës nga raketa, zoti Medvedev nuk e zbuti qendrimin e tij. //ad//

XS
SM
MD
LG