Lidhje

Rriten aksionet, investitorët më të sigurtë nga ekipi ekonomik  i Obamës


Vlera e aksioneve në bursën e Nju Jorkut u rrit për të dytën ditë rresht dje, ndërsa investitorët iu përgjigjën pozitivisht emërimit të ekipit ekonomik të zotit Obama, si dhe dhënies së fondeve qeveritare dy ditë më pare për grupin bankar "Citigroup".

Analistët thonë se investitorëve u pëlqen zgjedhja e zotit Tim Gajtner si Sekretar i Thesarit dhe Leri Samërsit si kryetar i Këshillit Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë. Zoti Obama i bëri publike dje të dyja këto emërime.

Tregjet po ashtu mirëpritën zotimin e qeverisë për të marrë përsipër milarda dollarë kredi të këqija nga grupi bankar "Citigroup", dikur banka më e madhe amerikane. Qeveria amerikane do t’i jape kësaj banke 20 milardë dollarë për ta ndihmuar të kapërcejë gjendjen e vështirë financiare. Vlera e aksioneve të "Citigroup" u rrit dje me gati 60 për qind, duke kapur shifrën e 5 dollarëve dhe 95 centëve. Aksionet e këtij grupi bankar humbën gati dy të tretat e vlerës javën e kaluar.

Falimentimi i "Citigroup", sipas analistëve, do ta kishte tronditur sistemin financiar. Kjo kompani, e cila është përfshirë fuqishëm në të ashtuquajturat kredi të siguruara, njoftoi kohët e fundit se do të eliminonte 55 mijë vende pune.Treguesi industrial Dau Xhons po kështu u rrit me 397 pikë dje dhe kapi vlerën 8 mijë e 443. Treguesi është rritur fuqishëm gjatë dy ditëve të fundit, duke rifituar një pjesë të vlerës së humbur gjatë 12 muajve të fundit.

Ndërkaq, dollari amerikan humbi gjatë ditës së djeshme, duke arritur vlerat 1.28 kundrejt Euros dhe 1.51 cent kundrejt Paundit britanik. Çmimi i arit u rrit gjithashtu me 21 dollarë, duke kapur vlerën 821 dollarë për 28 gramë. Çmimet e naftës pësuan gjithashtu rritje, duke kapur vlerat 54 dollarë e 50 centë për fuçi.

Uilliam Smith, nga grupi financiar "Smith Asset Management", thotë se është e drejtë që të ketë shqetësime mbi ndikimin që kjo shumë parash që po hidhet në treg mund të ketë mbi inflacionin. Por, në periudhën afatshkurtër, ai thotë se stimuli financiar do të rrisë kërkesën e konsumatorëve dhe do ta nxjerrë ekonominë nga recesioni.

"Vlera e stimulit financiar që do të hidhet në sistem në fusha të ndryshme të ekonomisë është e jashtëzakonshme. Është e paparë ndonjëherë. Kështu që herët a vonë, kjo shumë e madhe parash do të ketë ndikimin e saj dhe do të na nxjerrë nga kriza”, - tha zoti Smith gjatë një interviste televizive.

Presidenti i zgjedhur Obama po përgatit një plan emergjence për stimulin fiskal, që do të hidhte në treg disa qindra miliardë dollarë të tjerë.//lk

XS
SM
MD
LG