Lidhje

Disa reklama kundër duhanit - të paefektshme


Disa reklama kundër duhanit, të paefektshme

Nëntori është muaji kundër duhanit, nismë e shoqatës amerikane kundër kancerit që synon t’i nxisë njerëzit të lënë duhanin. Por sa e efektshme është kjo fushatë.

Për dekada, reklamat kundër duhanit janë bërë pjesë e pamjeve televizive. Qëllimi i tyre është i thjeshtë; të nxisin njerëzit që të lënë duhanin ose të mos e fillojnë atë.

Disa nga këto reklama, veçanërisht ato që u drejtohen të rinjve, kanë pamje të frikshme kur përshkruajnë pasojat e duhanit dhe sëmundjet që lidhen me të.

Shkencëtarët pranë universitetit të Mizurit morën në shqyrtim efektin e reklamave të tilla tek njerëzit, dhe sa i dobishëm është mesazhi që ato përcjellin.

Eksperti Paul Bolls thotë se shkencërisht këto reklama nuk janë shumë të efektshme. Ai e mati shkallën e efektshmërisë në laborator duke studiuar reagimin e trurit të njerit që shikonte reklama të tilla. Nga studimi doli se kur mesazhet janë shumë të ashpra, e të frishme, ato e bëjnë njeriun të mos i shohë ato. Ekspertët vunë re se kur reklama kundër duhanit ishte më e butë dhe me pamje më pak acaruese, ajo krijonte frikën e arsyeshme dhe e bënte shikuesin të mendohej rreth pasojave të duhanit.

Vitaminat shtesë, pak ndihmojnë

Miliona njerëz në botë blejnë vitamina duke shpresuar se ato do të ndihmojnë shëndetin e tyre.Por a ndihmojnë ato?

Një numër studimesh kanë hedhur dyshim mbi efektshmërinë e dozave të larta të vitaminave për të parandaluar rrezikun e kancerit.



Vitaminat C dhe E janë dy prej më të përdorëshmet. Ato gjenden në fruta e perime dhe mendohet se mbrojnë qelizat dhe organet e trupit të njeriut. Por një studim i ri thotë se këto vitamina janë të paefektshme në prandalimin e sëmundjeve kardio-vaskulare. Gjatë studimit, 14 mijë burrave iu dhanë doza të larta vitaminash C dhe E. Të gjithë ata ishin mjekë nga mosha mbi 50 vjeç e sipër dhe në rrezik të ulët për t’u prekur nga sëmundje të zemrës. Studimi zgjati 10 vjet dhe në përfundim u vu re se vitaminat C dhe E nuk luajtën ndonjë rol në parandalimin e sëmundjeve kardio-vaskulare. Shkencëtarët mendojnë se për parandalimin e sëmundjeve të tilla vlejnë këshillat e tradicionale; dieta ushqimore, mospirje të duhanit dhe ushtrime fizike.

Grupi i vitaminave B shikohet si thelbësor për një dietë të shëndetëshme. Vitamina B-6 ndihmon në mbrojtjen e imunitetit të organizmit. B-12 është e mirë për trurin dhe sistemin nervor. Por studimi i ri mori në shqyrtim të paktën 5 mijë gra të moshës mbi 40 vjeç. Rezultatet treguan se vitaminat B nuk luajtën ndonjë rol për pakësimin e rrezikut të kancerit, vecanërisht kancerit në gji dhe në zorrën e trashë.

Gjithashtu studimet e kohëve të fundit kanë treguar se shumë njerëz me nivel të ulët të vitaminës D janë në rrezik për t’u prekur nga një numër sëmundjesh duke filluar nga diabeti, problemet në zemër dhe disa lloj kanceresh. Megjithatë, një studim ku morrën pjesë 36 mijë gra, tregoi se vitamina D nuk luajti rol në parandalimin e kancerit të gjirit apo të zorrës së trashë. Disa shkencëtarë thonë se pjesmarrësve në këtë studim duhej t’u ishte dhënë një dozë më e lartë vitamine D për të parë efektet e saj. Por shkencëtarë të tjerë paralajmërojnë se disa pacientë mund të shkurtojnë jetën e tyre nëse disa lloj vitaminash i marrin në doza më të larta sesa rekomandohen.

XS
SM
MD
LG