Lidhje

Rusi: Prokurorët kërkojnë heqjen e gjykatësit në procesin Politkovskaja


Prokurorët rusë po kërkojnë heqjen e gjykatësit që po drejton procesin ndaj tre personave të akuzuar për vrasjen e gazetares ruse Ana Politkovskaja.

Kërkesa u bë sot, gjatë asaj që dëshmitarët e cilësuan si një seancë kaotike, në të cilën gazetarët fillimisht u ndaluan të hyjnë në sallë, më pas u lejuan, dhe më pas u nxorrën sërish jashtë nga salla. Një anëtar jurie po ashtu u përjashtua nga procesi pasi foli me një gazetar.

Agjencia e lajmeve Rojters njofton se prokurorët kërkuan që gjykatësi të mos lejohet ta gjykojë këtë rast pasi ai lejoi gazetarët në sallë. Prokurorët thonë se javën e kaluar disa anëtarë jurie u ndjenë të frikësuar nga prania e gazetarëve.

Po sot, avokati mbrojtës i një prej të akuzuarve, tha se dokumentet e gjyqit tregojnë se urdhërin për vrasjen e gazetares së njohur e dha një politikan rus i paidentifikuar, për shkak të artikujve kritikë të gazetares së njohur.

Avokati Murad Musajev tha sot se emri i politikanit nuk është në dosje. Prokurorët tha ai, mendonin më parë se krimi ishte kërkuar nga dikush jashtë Rusisë.

Javën e kaluar gjykatësi, në mënyrë të papritur vendosi që gjyqi të bëhej me dyer të mbyllura pasi disa anëtarë të jurisë kishin frikë të merrnin pjesë në të në prani të gazetarëve.

Por një prej anëtarëve të jurisë tha sot se asnjë prej anëtarëve të jurisë nuk kishte kërkuar seancë me dyer të mbyllura. (ze)

XS
SM
MD
LG