Lidhje

Obama premton disiplinë  buxhetore në administratë


Presidenti i zgjedhur Barak Obama emëroi dje Peter Orszag si Drejtor të Zyrës së Buxhetit dhe e udhëzoi atë të analizojë shpenzimet qeveritare për të kursyer miliarda dollarë nga programet që nuk janë më të nevojshme. Presidenti i zgjedhur tha se reforma buxhetore është jetike në një kohë kur deficiti buxhetor po shtohet dhe ekonomia po bie. Po dje, adminsitrata e Presidentit Bush njoftoi ndihma të reja për sektorin e goditur rëndë të shtëpive, që u bë shkas për krizën e tanishme ekonomike.

Qeveria do të blejë deri në 200 miliardë dollarë në vlerë aksionesh që bazohen mbi kreditë e shtëpive, në mënyrë që bankat të kenë më shumë kapital në dispozicion për të dhënë hua të reja. Sekretari amerikan i Thesarit Henri Polson tha se programi synon të shtojë shpenzimet në rënie të konsumatorëve, duke ofruar programe të reja për firmat që lëshojnë karta krediti, që japin hua për studentët, ose për blerjen e makinave. Presidenti i zgjedhur Obama tha dje se reforma buxhetore do të jetë një përparësi e administratës së tij.

Presidenti i zgjedhur Barak Obama shpalli dje Peter Orszag të emëruarin e tij për postin e Drejtorit të Zyrës së Buxhetit. Zoti Orszag është aktualisht drejtor i zyrës së buxhetit në Kongres. Zëvendësi i tij do të jetë Robert Nabors, punonjës në Komisionin Buxhetor të Kongresit.

Zoti Obama tha se reforma e buxhetit është një nevojë dhe jo një mundësi dhe ai shtoi se do ta drejtojë ekipin e tij të buxhetit që të kërkojë mënyra për kursime, qoftë edhe nga programet qeveritare jo të efektshme.

"Ne do ta rishikojmë tërësisht buxhetin federal, siç premtova gjatë fushatës eketorale, faqe për faqe, rresht pas rreshti, për të eliminuar ato programe që nuk na nevojiten dhe të këmbëngulim që ato programe që janë të nevojshme, të drejtohen me kujdes, që të jenë të efektshme edhe nga pikëpamja e kostos," tha zoti Obama.

Dje ishte konferenca e dytë për shtyp e zotit Obama, që u përqëndura tek masat për të ndihmuar ekonominë amerikane në recesion. Të hënën zoti Obama emëroi ekipin e tij ekonomik, mes të cilëve Sekretarin e Thesarit Tim Gaitner dhe këshilltarin kryesor ekonomik, Lawrence Summers.

Zoti Obama dhe udhëheqësit demokratë në Kongres po punojnë për një plan për stimulimin e ekonomisë, që mund të kushtojë 500 miliardë dollarë, me shpresë se ai do të krijojë 2,5 milionë vende pune gjatë një periudhe 2 vjeçare.

Udhëheqësit e Kongresit shpresojnë ta kenë gati planin për t’u nënshkruar nga zoti Obama menjëherë pasi ai të bëjë betimin si President më 20 janar.

Zoti Obama tha përsëri dje se ai synon të përqëndohet plotësisht tek ekonomia në ditët e para të administratës së tij.

"Ne nuk kemi ndërmend të bëjmë hapa të ngadalshëm në administratën e re, por dotë veprojmë me shpejtësi. Do të kemi plane të qarta për të vepruar. Ne synojmë të kemi një plan për rimëkëmbjen ekonomike, që do të punësojë 2,5 milionënjerëz," tha zoti Obama.

Ndërkohë, rivali i zotit Obama në zgjedhjet presidenciale, Senatori republikan i Arizonës Xhon Mekein, mbajti dje konferencën e parë për shtyp që dita e zgjedhjeve.

Ai tha se synimi i tij është të kandidojë për rizgjedhjen e tij në Senat pas dy vjetësh, por qeshi kur e pyetën në se do të kandidojë edhe një herë tjetër për postin e presidentit.

"Ne u përpoqëm shumë dhe frymëzuam një numër të madh njerëzish. Sarah Pejlin dhe unë, kur i heshim një vështrim fushatës që zhvilluam, ndjehemi krenarë dhe e pranojmë faktin që populli mori atë vendim. ... Dhe vendimi që unë po marr tani, është të vazhdoj t’i shërbej shtetit të Arizonës dhe vendit tim," tha zoti Mekein.

Senatori Mekein vlerësoi disa nga të emëruarit e zotit Obama, sidomos zgjedhjen për postin e Sekretares së Sigurisë Kombëtare, guvernatores së Arizonës, Janet Napolitano.
Zoti Mekein tha se së shpejti do të vizitojë Irakun dhe Afganistanin, për të parë gjendjen e trupave ushtarake atje. //lk

XS
SM
MD
LG