Lidhje

Propozimi për zgjatjen e mandatin presidencial lëviz pa asnjë debat


Propozimi i presidentit rus Dmitri Medvedev për të zgjatur mandatin presidencial nga 4 në 6 vjet po lëviz me shpejtësi nëpër procesin kushtetues pa patur praktikisht asnjë debat publik. Siç njofton nga Moska korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Fedinski, .

Vetëm 16 ditë pasi Presidenti Dmitri Medvedev propozoi ndryshimin e Kushtetutës së Rusisë për të zgjatur mandatin e presidentit nga 4 në 6 vjet, dhoma e ulët e parlamentit, Duma, votoi me 392 vota pro dhe 57 kundër në favor të ndryshimit. Vetëm komunistët votuan kundër, duke thënë se ky ndryshim përbën një prirje drejt autoritarizmit në Rusi. Po me këtë shpejtësi, ndryshimi pritet të kalojë nëpër gjithë sistemin kushtetues, në dhomën e lartë dhe në dy-të-tretat e organeve legjislative rajonale.

Kur e bëri propozimin më 5 nëntor, Presidenti Medvedev nuk dha hollësi se cila ishte arësyeja për zgjatjen e mandatit jo vetëm të kreut të shtetit, por edhe të vetë deputetëve.

“Këto çështje, thotë zoti Medvdev, janë ngritur shumë herë, që nga 1990, dhe mbështetja për to gjendet tek historia. Ka raste të shumta kur qeveritë demokratike ndryshojnë mandatin e të qëndruarit në detyrë. Nuk do të numëroj rastet pasi ato janë të shumta.”

Me përjashtim të protestave të vogla nga opozita, që nuk u mbuluan nga shtypi, nuk pati asnjë diskutim publik për këtë çështje. Jevgeni Volk, analist politik me Fondacionin Heritage në Moskë, thotë se ai nuk mban mend të jetë zhvilluar ndonjëherë ndonjë debat publik në vitet ’90 për këtë çështje. Shpejtësia me të cilat po miratohen amendamentet thotë ai, është një hap i qëllimshëm i strukturës së pushtetit në Rusi.

“Çdo gjë, thotë analisti Volk, po bëhet për të kufizuar në maksimum mundësinë për debat, në mënyrë që të mos analizohet se përse duhet zgjatur mandati i presidentit. Autoritetet ruse po veprojnë siç kanë vepruar tradicionalisht, jo vetëm duke injoruar opinion publik, por edhe duke mbytur çdo opinion të lirë për këto nisma”.

Sipas një ankete të Qendrës për Opinionin Publik në Rusi, 22 përqind e rusëve e mbështesin plotësisht zgjatjen e mandatit presidencial, 33 përqind janë në favor të tij, 29 përqind kundër dhe 15 përqind nuk kanë ndonjë mendim për të. Gjithsesi, kjo qendër është akuzuar nga media New Times, që botohet përmes internetit, për interpretim të të dhënave sipas dëshirës së Kremlinit.

Në Moskë duhen dy javë për të marrë leje për një protestë. Ditën që u zgjat mandati i presidentit, para parlamentit kishte vetëm pak protestues që i përkisnin partive të vogla. Irina, e partisë Jabloko, i tha Zërit të Amerikës se rusët besojnë se protestat janë të pavlefshme.
Një tjetër protestues, Sergei Shkolni, thotë se rusët jo vetëm që e kanë traditë të mos jenë aktivistë në politikë, por kanë edhe frikë.

Disa vëzhgues politikë thonë se zgjatja e mandatit presidencial është një manovër për të rikthyer në këtë post ish presidentin Vladimir Putin, i cili tani është kryeministër. Jevgeni Volk është i të njejtit mendim.

“Shpejtësia me të cilën po kalojnë amendamentet synon qartazi të sjellë Vladimir Putinin në postin e presidentit, pasi çdo ditë që kalon në kushtet e krizës globale, përfaqëson rrezik për pozitën e tij si udhëheqës. Kjo pasi njerëzit e shikojnë kreun e qeverisë si përgjegjës për ekonominë.”

Kushtetuta e Rusisë nuk e lejonte Vladimir Putinin të shërbente më shumë se dy mandate radhazi si president. Në se pasardhësi i zgjedhur prej tij, Dmitri Medvedev, do të largohej nga posti, ish presidenti Putin mund të rikthehej në pushtet edhe për dy mandate të tjerë. Dhe në se këto mandate zgjateshin, siç duket se po ndodh, zoti Putin mund të vinte në krye të Kremlinit edhe për 12 vjet të tjerë. (ze)

XS
SM
MD
LG