Lidhje

Kosovë: Autoritetet thonë se do të kundërshtojnë çdo plan që prek sovranitetin


Udhëheqësit politikë të Kosovës thanë sot se nuk mund të lejohet zbatimi i çfarëdo plani që shkel sovranitetin e Republikës dhe do të refuzohet çdo veprim që bie në kundërshtim me kushtetutën e saj. Ata i bënë këto komente në prag të mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku duhet të diskutohet procesi i ri konfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë. Raporti i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, përfshinë edhe marrëveshjen gjashtë pikëshe ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Serbisë, që parasheh një shkallë të lartë të autonomisë për policinë, drejtësinë dhe doganat në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi në një deklaratë të përbashkët përsëritën refuzimin e tyre të plotë ndaj gjashtë pikave të zotit Ban Ki Moon.

“Përgjigja jonë ndaj raportit të Sekretarit të Përgjithshëm mbetet e njëjtë. Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë, të sigurojnë se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.

Në deklaratë shprehet besimi i plotë në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe NATO-n si dhe interesimi për vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën si garanci për respektimin e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj. Të dy udhëheqësit e vendit thanë se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me EULEX-in i cili duhet t’i përmbahet mandatit të tij për të ndihmuar institucionet e vendit në fushën e sundimit të ligjit.

“Çdo qasje tjetër që mund të marrë karakterin e daljes nga ky mandat, sigurisht se do ta ketë refuzimin tonë", tha presidenti Sejdiu.

“Kosova e ka Kushtetutën e vet, e ka Kushtetutën moderne dhe gjithçka që bie në kundërshtim me këtë Kushtetutë, për institucionet dhe popullin e Kosovës është e papranueshme, por edhe do të jetë e rezistueshme nga ana jonë", tha kryeministri Thaçi.

Ata u bënë thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe qytetarëve të Kosovës për mbështetje në këtë periudhë zhvillimeve të procesit politikë.

“Ky është një moment në të cilin nevojitet një qasje e qetë dhe e vendosur. Çfarëdo përgjigje tjetër vetëm sa do t’i kënaqte ata të cilët dëshirojnë të provokojnë Kosovën dhe të na shohin duke vepruar në mënyrë të pa dinjitetshme. Nuk do t’ua japim atë kënaqësi”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve politikë të Kosovës.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në një shtesë të veçantë përfshin edhe qëndrimet e Prishtinës, por nënvizon se ka një marrëveshje të mjaftueshme për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë.

Beogradi, kundërshtimi i të cilit e ka shtyrë vendosjen e këtij misioni në Kosovë, e ka cilësuar raportin si një fitore të tij diplomatike. Serbia e mbështetur nga Rusia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës të cilën deri tash e kanë njohur 52 vende të botës. (ze)

XS
SM
MD
LG