Lidhje

Misioni i NASA-s Endevër shtyhet 1 ditë, anija kthehet të dielën


Misioni i anijes së hapësirës Endevër është shtyrë 1 ditë dhe kthimi i saj në Tokë është planifikuar për të dielën. Pas katër daljesh të vështira në hapësirë dhe provat me një sistem për riciklimin e ujit, ekuipazhi është tani gati për t’u larguar nga Stacioni Orbital Ndërkombëtar, ku është ankoruar anija.

Astronautët Stiv Bouën dhe Shejn Kimbrou kaluan dje më shumë se 6 orë jashtë anijes duke përfunduar riparimet në sistemin e paneleve diellore të cilat ushqejnë atë me energji diellore.

Kimbrou lidhi gjithashtu një kamer të re televizive e cila do të përdoret në misionin e ardhshëm në stacionin orbital ndërkombëtar.

Kjo ishte dalja e katërt dhe e fundit e misionit të tanishëm. Në daljen e parë javën e kaluar ndodhi një incident i cili tërhoq mjaft vemendjen e medias.

Kur astronautja Haidi Stefanshin-Paiper po përpiqej të fshinte grason nga një pajisje lubrifikimi, asaj iu shkëput një komplet veglash që kushtonte 100 mijë dollarë.
Kompleti, i cili ishte i palidhur, u shkëput dhe u zhduk në hapësirë.

“This is mission control Houston. Space walkers outside the International Space Station reporting that one of their tool bags being prepared has drifted off away from the space station.”

Menaxheri i NASA-s, Xhon Rei.

“Mjafton një gabim i vogël, për shembull kur një litar nuk është i lidhur mirë ose kur ai del nga hallka që e mban dhe… pikërisht kjo ndodhi edhe në këtë rast.”

Brënda stacionit, astronautët përpiqeshin të vinin në funksionim një sistem të ri për riciklimin e ujit. Kur të vihet në punë, sistemi do të kthejë urinën dhe lëngje të kondensuara në ujë të pijshëm, gjë që do ta lejojë stacionin të dyfishojë ekuipazhin, duke e çuar numrin e tij në 6 vetë.

NASA thotë se astronautët duket se i kanë zgjidhur problemet e sistemit të riciklimit por ajo ka vendosur ta shtyjë me një ditë kthimin e anijes për në tokë. Endevër do të shkëputet nga stacioni dhe do të kthehet në Tokë të dielën. (ze)

XS
SM
MD
LG