Lidhje

SHBA: EULEX-i do të veprojë në gjithë territorin e Kosovës


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi mbrëmë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, për rikonfigurimin e Misionit të UNMIK-ut dhe vendosjen e EULEX-it në Kosovë, që përmban edhe planin gjashtë pikësh, të cilin udhëheqja e Kosovës e ka kudërshtuar tërësisht, ndërsa Beogradi e ka pranuar atë. Në raport përfshihet edhe një deklaratë 4 pikësh e autoriteteve të Kosovës. Shtetet e Bashkuara e përshëndetën raportin dhe u shprehën se EULEX-i do të veprojë në tërë Kosovën. Për më tepër, SHBA theksuan se fakti që Kosovës i është njohur e drejta për të kundërshtuar planin 6 pikësh të OKB-së, do të thotë se çdo marrëveshje në të ardhmen duhet të negociohet dhe diskutohet me qeverinë e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara thanë se vendimi i Këshillit të Sigurimit është një ngjarje mjaft pozitive për Kosovën, e cila i hap rrugën vendosjes së EULEX-it në një Kosovë të pavarur, sovrane dhe të pandarë. Në deklaratën e Departamentit të Shtetit, thuhet se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm për t’ia përshtatur rolin e OKB-së realitetit të ri të krijuar në Kosovë, duke zvogëluar misionin e UNMIK-ut dhe duke ia kaluar kompetencat për drejtësinë dhe policinë misionit të EULEX-it, ku do të dërgojnë 80 policë, gjykatës dhe prokurorë amerikanë.

Shtetet e Bashkuara përshëndetën gjithashtu përparimin e konsiderueshëm që ka bërë Kosova që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të këtij viti dhe theksuan rëndësinë e respektimit të plotë të pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë teritoriale të saj. Shtetet e Bashkuara theksuan në veçanti angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së se masat e parashikuara për periudhën e kalimit të kompetencave nga UNMIK-u tek EULEX-i do të zbatohen në bashkëpunim dhe konsultim të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, shprehu mbështetjen e tij për rekomandimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, por iu përmbajt qendrimit të vendit të tij, duke e konsideruar Kosovën “provincën e tij jugore”:

“Bashkimi evropian mund dhe duhet të ndihmojë në ndërtimin e infrastrukturës shumë të nevojshme institucionale dhe shoqërore të provincës tonë jugore. Kjo ka qënë e pamundur deri tani, për shkak të mënyrës se si filloi rikonfigurimi. Kushti kritik që ne ta pranonin këtë rikonfigurimi ishte njohja dhe respektimi i tij nga Bashkimi Evropian, konfirmimi i tij nga Këshilli i Sigurimit që ai të jetë plotësisht neutral dhe prania e tij në Kosovë të jetë krejtësisht nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara, konform rezolutës 1244. Jam i kënaqur që këto kushte të arsyeshme u plotësuan”.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, shprehu gjithashtu mbështetjen e Prishtinës për EULEX-in, duke thënë se dislokimi i misionit ishte “kritik” dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës do të përfitonin nga prania e tij.

"EULEX-i do të gëzojë mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve dhe popullit të Kosovës".

Por qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për çështje që lidhen me policinë, doganat, drejtësinë, transportin e infrastrukturën, kufijtë dhe objektet e trashëgimisë serbe.

"E kemi hedhur poshtë plotësisht këtë plan. Për më tepër, e kemi bërë të qartë se nuk do të tolerojmë, nuk do të lejojmë asnjë veprim që cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës".

Prishtina thotë se plani gjashtë pikash çon në krijimin e dy administratave paralele brenda një vendi të vetëm. Prishtina shqetësohet gjithashtu se ky plan parashikon një shtim të ndjeshëm të ndikimit serb në çështjet e brendshme të Kosovës.

Edhe një herë dje, qendrimet e palës shqiptare dhe asaj serbe për sa i përket satusit të Kosovës si shtet i ri i pavarur, ishin diametralisht të kundërta. Duke iu referuar realitetit në terren, Përfaqësuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Xanier nga Italia, tha se megjithë arritjet e deritanishme, shqiptarët dhe serbët në Kosovë mbeten të ndarë.

“Rreth një dekadë pas përfundimit të konfliktit në rajon, Kosova mbetet një shoqëri thellësisht e ndarë. Megjithëse autoritetet në Prishtinë janë të angazhuara plotësisht për një shoqëri shumë-etinike, angazhim i sanksionuar edhe në kushtetutën e saj, shqiptarët dhe serbët e Kosovës jetojnë të ndarë në dy botë paralele. Në një farë mase ky është një fenomen paqësor, por ai mbart me vete potencialin për konflikt në vend”.

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në sesionin e djeshëm të Këshillit të Sigurimit, Rozmari Dikarlo, përsëriti qendrimin e Shteteve të Bashkuara që veprimet në të ardhmen të ndërmerren duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe mbështetjen amerikane për angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm për të vazhduar konsultimet dhe bashkërendimin me autoritetet në Prishtinë.

Shtetet e Bashkuara, tha në mbyllje të fjalës së saj zonja Dikarlo, u bëjnë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, në veçanti qeverive të Kosovës dhe Serbisë, të angazhohen në një mënyrë që garanton vendosjen e shpejtë të misionit të EULEX-it në Kosovë dhe suksesin e tij. //iç//

XS
SM
MD
LG