Lidhje

Festa e Flamurit bashkon shqiptarët


Në Shqipëri autoritetet më të larta të vendit kanë kujtuar sot ditën e Pavarësisë, një nga festat më të rëndësishme. E djathta në pushtet vazhdon të konsiderojë 28 nëntorin edhe si ditën e clirimit, ndonëse zyrtarisht ajo mbetet më 29 nëntor. Presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli bën homazhe në varrezat e dëshmorëve të luftës së dytë botërore.

Prej shumë vitesh festat e nëntorit nuk i shpëtojnë dot ngjyrave politike, për shkak të vlerësimeve të ndryshme historike. E djathta këmbëngul në shkrirjen në një datë të ditës së Pavarësisë me atë të clirimit. Zyrtarisht 29 nëntori mbetet si festa e fitores mbi nazizmin, por qeveria në protokollet e ceremonialeve e ka përfshirë atë më 28 nëntor. Dhe sot autoritetet më të larta shtetërore kryen homazhe në varrezat e dëshmorëve të luftës së dytë botërore. Presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli dhe ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa morën pjesë së bashkë në ceremonionë e organizuar.

Kreu i shtetit në deklarimin e tij iu përmbajt urimeve vetëm për ditën e pavarësisë: “Është një ditë e shënuar Festa jonë Kombëtare. Është një ditë ku në radhë të parë duhet të kuptojmë që Shqipëria është sot në këtë ditë të shënuar në sajë të punës së disa gjeneratave, por në radhë të parë të atyre që arritën të pavarësojnë Shqipërinë."

Por kryeministri Sali Berisha preferoi të theksonte se sot festoheshin dy ngjarje:

“Ne e festojmë këtë ditë të pavarësisë edhe të çlirimit më mirë se kurrë, në tërë ekzistencën tonë, sepse ne festojmë këtë ditë me Kosovën e pavarur dhe në prag të zhvillimeve të mëdha historike, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pra, ne festojmë dhe kremtojmë më të lirë se kurrë në të gjithë historinë tonë”.

Shqipëria fitoi pavarësinë e saj, pas përpjekjesh të shumta, më 28 nëntori 1912, datë kur përfaqësuesit e saj më në zë arritën të ngrenë flamurin kombëtar në qytetin e Vlorës duke i hapur rrugë krijimit të shtetit shqiptar. //rd//

XS
SM
MD
LG