Lidhje

Pasojat e krizës globale financiare tek rritja e ekonomisë kineze


Banka Botërore dhe një grup i njohur studimor në Uashington thonë se ritmet e rritjes ekonomike të Kinës po ulen mjaft si rezultat i uljes së kërkesës për eksportet kineze.

Në parashikimet e saj të fundit Banka Botërore thotë se këtë vit rritja ekonomike e Kinës do të ngadalsohet duke arritur në 9,4 përqind, një rënie kjo krahasuar me rritjen ekonomike të vitit 2007 që ishte 19 përqind. Banka Botërore thotë se rritja ekonomike e Kinës do të jetë edhe më e ulët në vitin 2009, me siguri jo më shumë se 7,5 përqind.

Eksperti i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, Nikolas Lardi, thotë se në vitin 2009, rritja ekonomike do të jetë rreth 6 përqind.

“Afërsisht, rritja ekonomike e Kinës ka rënë për gjysëm, nga pika më e lartë e deri tek niveli i tanishëm. Një rënie e tillë është ndër ngadalësimet më të mëdha që ka njohur ekonomia kineze që prej fillimit të reformave 30 vjet më parë, pra në vitin 1978.”

Drejtori i Institutit Peterson, Fred Bergsten thotë se edhe pse me një ngadalësim të tillë ekonomik, Kina përfaqëson pjesën më të madhe në rritjen ekonomike botërore.

“Kina është vendi i dytë eksportues i botës, pas Gjermanisë dhe përpara Shteteve të Bashkuara. Ajo është deri tani vendi me bilancin më të madh pozitiv tregtar në botë, duke i lënë shumë larg vendet e tjera. Kina ka rezervat valutore më të mëdha të botës që kapin 2 trilion dollarë, një sasi kjo dy herë më e madhe se e Japonisë, e cila renditet e dyta në këtë kategori.”

Zoti Bergsten flet pozitivisht për paketën emergjente të stimulimit të ekonomisë që miratoi Kina kohët e fundit duke e quajtur atë një kontribut të madh për të ruajtur nivelin e kërkesës së brendëshme në një kohë kur ekonomia globale po ngadalësohet.

Studiuesi Nikolas Lardi thotë se Kina duhet të lejojë një rivlerësim më të shpejtë të monedhës së saj për të riparuar çbalancimet në ekonominë globale.

“Problemi këtu është se monedha kineze, duke u mbajtur e zhvlerësuar, i sjell sinjale të gabuara tregut për sa i përket çmimeve të mallrave. Kjo rrit fitimet në tregtinë e mallrave, kryesisht industriale. Në fakt, pesë, gjashtë vitet e fundit ka pasur një dyfishim të investimeve në sektorin e prodhimeve industriale”.

Por zoti Lardy nuk është optimist se në kushtet e vështira të ekonomisë globale, Kina do të lejojë një ngritje më të shpejtë të vlerës së monedhës së saj. //ad//

XS
SM
MD
LG