Lidhje

Presidenti Bush i përcjell ngushëllime popullit indian


Presidenti amerikan Xhorxh Bush i shprehu ngushëllime popullit Indian dhe ofroi mbështetjen e tij për qeverinë indiane pas sulmeve terroriste në Bombei në të cilat mbetën të vrarë gati 200 vetë.

Presidenti Bush foli shkurtimisht me gazetarët ndërsa po kthehej në Shtëpinë e Bardhë nga pika presidenciale e pushimeve Kemp Dejvid, ku ai dhe bashkëshortja e tij kaluan Festën e Falenderimit.

"Do të mbështesim plotësisht qeverinë indiane ndërsa India zhvillon hetimet në lidhje me ngjarjet dhe sjell fajtorët para drejtësisë”.

Zoti Bush tha se administrata e tij po e ndjek me vëmendje situatën në Indi pas sulmeve në Bombei. Ai zhvilloi dje në videokonferencë me Sekretaren e Shtetit Kondoliza Rajs, ambasadorin amerikan në Indi, Dejvid Mallford dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë kombëtare. Gjatë javës presidenti i telefonoi kryeministrit indian Manmohan Sing për t’i ofruar atij ngushëllimet dhe mbështetjen amerikane.

Zoti Bush tha dje se ai është i sigurt se populli i Bombeit dhe India do ta tejkalojnë këtë tragjedi.

"Autorët e këtyre sulmeve janë mizorë dhe të dhunshëm por terrori nuk do t’ia dalë të fitojë këtë betejë. Populli i Indisë është i fortë. Ata kanë ndërtuar një demokraci shumetnike që do ta kapërcejë këtë sulm.”

Presidenti Bush siguroi kryeministrin indian Sing dhe popullin e Indisë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i mbështesin ata. Zoti Bush tha se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po punojnë për të garantuar që shtetasit amerikanë në Indi të jenë të sigurt.

Presidenti tha se administrata e tij po mban të informuar presidentin e zgjedhur Barak Obama. Zoti Obama i telefonoi kryeministrit indian Sing për t’i shprehur ngushëllimet e veta për këtë tragjedi. Zoti Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një president, por premtoi se do t’i ndiqte me kujdes zhvillimet në rajon. Zoti Obama po kështu foli me sekretaren Rajs në lidhje me ngjarjet në Indi. //ad//

XS
SM
MD
LG