Lidhje

Rivalja në postin e mundshëm të Sekretares së Shtetit


Presidenti i zgjedhur Barak Obama pritet të njoftojë gjatë një konference për shtyp që do të zhvillohet ditën e sotme, zgjedhjen e tij për postet më të larta në diplomacinë dhe sigurinë amerikane. Pritet që ish-rivalja e zotit Obama, Hillari Klinton të prezantohet sot si Sekretarja e ardhshme e Shtetit.

Që prej fillimit të garës së tij presidenciale, zoti Obama përsëriti se pushtimi amerikan i Irakut në vitin 2003 ishte i gabuar. Kështu disave mund t’u duket çudi që senatorja e Nju Jorkut Hillari Klinton do të jetë zgjedhja e tij për postin e Sekretares së Shtetit. Zonja Klinton votoi pro luftës dhe e mbrojti vazhdimisht votën e saj për luftën në Irak gjatë garës demokrate për emërimin për kandidat presidencial.

Nëse zonja Klinton do të emërohej në këtë post, kryerepublikani në Këshillin për Marëdhënie me Jashtë të senatit amerikan Riçard Lugar thotë se ka ndërmend të votojë pro këtij emërimi megjithë pyetjet që mund të shtrojnë aktivitetet e mëparshme të ish presidentit Klinton. Zoti Klinton vazhdon aktivitetin e tij duke mbatjur fjalime në vende të ndryshme të botës dhe duke grumbulluar para për projekte bamirëse. Zoti Lugar foli në një program televiz këtu në Shtetet e Bashkuara.

"Aktivitetet e shumta të ish presidentit Klinton kanë peshë e do të vazhdojnë të jenë të tilla. Duke marrë parasysh standartet tona etikore nuk e de sesi do të rrjedhin ngjarjet. Megjithatë besoj se stafi i zotit Obama ka bërë një punë të mirë në piketimin e elementëve më të rëndësishëm për aktivitetet e ardhshme të zotit Klinton”.

Sipas mediave amerikane ish presidenti Klinton ka rënë dakord që të bëjë publike emrat e donatorëve të organizatës bamirëse që ai drejton në mënyrë që të shmangë një konflikt të mundshëm interesi me emërimin e gruas së tij në postin e kryediplomates amerikane. Bëhet me dije se ai po kështu do të lejojë presidentin e ardhshëm Obama të japë mendimin e tij për përmbajtjen e fjalimeve të tij. Kjo marrëveshje është e papreçedent.

Zoti Obama pritet të emërojë ish gjeneralin e marinës Xhejms Xhouns si Këshilltarin e tij për Siguri Kombëtare dhe se do të njoftojë se do të lërë në krye të Departamentit të Mbrojtjes zotin Robert Gejtjs i cili ka shërbyer në këtë post në administratën e presidentit Bush gjatë dy vjetëve të fundit. Zoti Gejts mbikqyri vitin e kaluar shtimin e trupave amerikane në Irak, i cili u kundërshtua nga zoti Obama. Ashtu si edhe presidenti Bush, zoti Gejts ka paralajmëruar për rrezikun e një tërheqjeje të parakohshme të trupave amerikane nga Iraku edhe pse marrëveshja e posafirmosur irako-amerikane ka vendosur vitin 2011 si afatin përfundimtar për praninë e trupave luftarake amerikane në Irak. //ad//

XS
SM
MD
LG