Lidhje

Obama: Partneritet me guvernatorët për rimëkëmbjen ekonomike


Presidenti i zgjedhur Barak Obama tha se do të ndërtojë një partneritet me guvernatorët e shteteve për të hartuar dhe zbatuar planin e rimëkëmbjes ekonomike ndërsa shtetet përballen me probleme të buxhetit. Në fjalimin që mbajti dje gjatë një takimi me Shoqatën Kombëtare të Guvernatorëve në Filadelfia, zoti Obama tha se mbështet një plan ekonomik që do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e taksave.

Presidenti i zgjedhur Obama, duke folur dje para një grupi guvernatorësh të shteteve nga të dy partitë në qytetin Filadelfia, tha se do të përpiqet për t’i dhënë fund me shpjetësi kohëve të vështira ekonomike me një plan të rimëkëmbjes, që do të rrisë shpenzimet federale.
Zoti Obama tha se ai nuk u kërkon udhëheqësve të shteteve vetëm të zbatojnë planin e tij ekononik por ai i nxiti ata që të punojnë së bashku me administratën e tij për të ndihmuar në hartimit e planit për zgjidhjen e krizës ekonomike.

“Qëndrimi im është se, në se i dëgjojmë guvernatorët, atëherë të hollat që ne do t’i shpenzojmë do të shpenzohen siç duhet. Po ashtu, një veprim i tillë nënkupton se gjërat do të lëvizin më shpejt dhe njerëzit në shtetet që ju përfaqësoni, do të mund të shohin një rritje ekonomike më shpejt”, - tha ai.

Shoqata Kombëtare e Guvernatorëve i kërkoi zotit Obama të mbështesë financiarisht projektet për shëndetësinë dhe infrastrukturën. Kjo shoqatë thotë se 20 shteteve u është dashur pakësojnë me afër 7 milionë dollarë buxhetet e tyre, si pasoj e krizës ekonomike.
Zyra Kombëtare për Studime Ekonomike tha se rënia ekonomike në fakt filloi në dhjetor të vitit 2007.

Përgjegjësja për strategjinë e investimeve në kompaninë "Charles Schwab", Liz Ann Sonders, parasheh se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luftojnë recesionin edhe vitin e ardhshëm.

“Ka një vitë që ne jemi në recesion. Dhe ky recesion do të jetë i gjatë të paktën, po aq sa dy recesionet më të gjata që ne kemi pasur në periudhën pas depresionit të madh, të cilët kanë zgjatur afër 16 muaj. Kështu, edhe tani ne do të na duhet të përballemi me recesionin të paktën deri nga mesi i vitit 2009.”

Zonja Sonders thotë se tregjet do të vazhdojnë të preken nga luhatjet madhore, por në tërsi, ekonomia nuk do të vazhdojë të ketë rënie të mëtejshme.

“Ky tremujor që jemi tani dhe që është tremujori i katërt për vitin 2008, do të jetë më i keqi sa i përket rritjes së prodhimit të brendshëm bruto. Për mendimin tim, ne nuk do të kemi një përparim të dukshëm deri në vitit 2009, por mendoj gjithashtu se tani ndodhemi në momentet më të vështira”,- thotë ajo.

Një ditë pasi Zyra Kombëtare për Studime Ekonomike deklaroi zyrtarisht se ekonomia e Shteteve të Bashkuara ndodhet në recesion, tregjet e akioneve nëpër botë reaguan në mënyra të ndryshme.//lk

XS
SM
MD
LG