Lidhje

Berluskoni në Shqipëri për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të energjisë


Në Shqipëri pritet të mbërrijë sot për një vizitë zyrtare disa orëshe kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi. Kjo është vizita e tij e dytë si kryeministër pas asaj të 6 viteve më parë. Këtë herë mbërritja e tij në Tiranë ka ngjallur një interes të veçantë për faktin se ajo do të shoqërohet nga nënshkrimi i dy marrëveshjeve të rëndësishme në fushën energjitike.

Bëhet fjalë për dy investime të mëdha private italiane. Marrëveshja e parë, që praktikisht do të shenoje nisjen e hapave konkrete, është ajo për ndërtimin e një rigazifikatori, impiant që pasi e merr gazin në gjendje të lëngët, e transformon atë në gjendje të gaztë. Projekti, disa qindra milionë eurosh parashikon furnizimin me gaz nga Afrika e Veriut dhe Katari për t’u eksportuar pastaj drejt Italisë përmes një gazsjellwëi nënujor. Impianti pritet të ndërtohet në zonën e Fierit.

Projekti i dytë, po ashtu me përmasa të mëdha, është ai i shoqërisë italiane Moncada, që parashikon prodhimin e energjisë nga era. Projekti parashikon ndërtimin e një prej impianteve më të mëdhenj në Evropë, me 260 turbina.

Marrëveshjet në fushën e energjisë janë me një interes dy palësh. Ende nuk dihet se në ç’masë do të përfitojë Shqipëria, pasi synimi kryesor i shoqërive italiane është furnizimi i tregut të vendit të tyre, gjithashtu i mangët përsa i përket burimeve energjitike.
Italia mbetet partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë, por njëkohësisht është dhe vendi dhurues i pari në marrëdhëniet bilaterale dhe i dyti në nivel ndërkombëtar, duke u renditur pas Bashkimit Evropian për ndihmën e dhënë e cila llogaritet prej më shumë se 650 milionë Euro.//lk


XS
SM
MD
LG