Lidhje

Kreu i Fordit, dakord ta shkurtojë pagën e tij në një dollar në vit


Kreu i kompanisë Ford Motor tha se është gati ta shkurtojë pagën e tij dhe ta bëjë një dollar në vit në se kjo kompani, e cila ndodhet në vështirësi, merr kredinë e emergjencës prej nëntë miliardë dollarësh që ka kërkuar nga Kongresi.

Drejtori ekzekutiv i Fordit Alan Mulalli i bëri komentet sot ndërkohë që tre prodhuesit e mëdhenj amerikanë të makinave paraqitën plane të hollësishme në Kongres se si ata mendojnë t’i përdorin kreditë e kërkuara.

Planet duhet të sqarojnë gjithashtu se si këto kompani mund të kthehen në fitimprurëse dhe të shlyejnë 25 miliardë dollarët hua që kanë kërkuar.

Plani i Fordit shpjegon se kompania mund të bëhet fitimprurëse nga viti 2011 duke shkurtuar shpërblimet e ekzekutivëve, duke negociuar paga më të ulta me sindikatat dhe duke shtuar prodhimin e makinave hibride dhe elektrike.

Planet e kompanisë Ford dhe të rivalëve General Motors dhe Chrysler do të jenë objekt i seancave dëgjimore në Kongres këtë javë. Kërkesa për hua mund të hidhet në votim javën e ardhshme.

Ndërkohë Fordi njoftoi se shitjet kanë rënë 31 përqind në nëntor krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Kompanitë e tjera pritet gjithashtu të njoftojnë rënie të shitjeve. //ii

XS
SM
MD
LG