Lidhje

Robert Gejts dhe përvoja e tij në ekipin e Barak Obamës

  • Al Pessin
  • Pentagon

Presidenti i zgjedhur Barak Obama riemëroi Sekretarin e Mbrojtjes Robert Gates për të shërbyer në administratën e re që fillon detyrën në janar, një lëvizje për të cilën analistët thonë se sjell përvojë, qëndrueshmëri dhe një larmi politike në kabinetin e tij.

Jo shumë kohë më parë dukej e paimagjinueshme që zoti Gejts të mbahej në këtë post. Në prill, kur nuk ishin caktuar ende kandidatët kryesorë të partive dhe Barak Obama dhe Hillari Klinton gjatë fushatave të tyre ishin shumë kritikë ndaj politikës së administratës Bush për Irakun, Sekretari Gejts u pyet nëse do ta merrte në konsideratë një kërkesë për ta mbajtur postin.

“As nuk mund ta imagjinoj që të ketë rrethana në të cilat unë mund ta bëja një gjë të tillë”,- tha ai.

Gazetarët qeshën pas kësaj përgjigjeje në konferencën e shtypit të Pentagonit, të cilën ai e përsëriti shpesh në muajt që pasuan."

Por që pas zgjedhjeve para katër javësh, Sekretari Gejts nuk është shfaqur shumë në publik dhe të hënën ai ishte në krah të presidentit të zgjedhur Obama, kur ky i fundit bëri njoftimin:

“Në një kohë kur ne po kalojmë një tranzicion të pashembullt, në një kohë kur marrim pjesë në dy luftra, i kërkova sekretarit Robert Gejts të vazhdojë detyrën si Sekretar i Mbrojtjes dhe jam i lumtur që ai pranoi,”- tha zoti Obama.

Pra rrethanat e paimagjinueshme mbetën pas. Sekretari Gejts tha se vendosi të qëndronte sepse nuk donte t’i bënte bisht detyrës ndërsa ushtarët vazhdojnë të shërbejnë në dy zona lufte.

“Shërbimi në këtë post për afro dy vjet dhe veçanërisht shansi për të udhëhequr ushtarët, marinarët, forcat ajrore dhe marinsat tanë trima, ka qenë përvoja më me vlerë për mua. E kam për nder të vazhdoj t’u shërbej atyre dhe vendit tim. E kam për nder të shërbej për Presidentin e zgjedhur Barak Obama”, - tha ai.

Kjo jep një tablo të qartë të personalitetit të sekretarit 65 të mbrojtjes, një njeri me një të folur të shtruar, teknokrat, zyrtar i zbulimit për një kohë të gjatë dhe ish kreu i CIA-s. Por ai ka qenë edhe President i një Universiteti që emocionohet kur flet për trupat amerikane që janë vrarë dhe plagosur në Irak dhe Afganistan. Ai ka një përvojë të gjatë dhe opinione të forta, përfshirë bindjen për nevojën që Amerika duhet të përdorë më shumë fuqinë diplomatike dhe ekonomike në botë, sesa atë ushtarake. Megjithatë ai njihet edhe si pragmatist. Ai ka kundërshtuar caktimin e një afati të prerë për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, por ai mbështeti marrëveshjen e re mes Shteteve të Bashkuara dhe Irakur, që përmban pikërisht një kufizim të tillë.

Presidenti i zgjedhur Obama tha se nuk e kishte kontrolluar përkatësinë partiake të Sekretarit Gejts. Duke folur për të dhe të emëruarën për Sekretare Shteti, ish-rivalen e tij Hillari Klinton, presidenti i zgjedhur Obama tha se ai pret që anëtarët e kabinetit të tij të kenë personalitete të forta dhe opinione te forta, por edhe të zbatojnë politikat e tij dhe të kenë të njëjtin këndvështrim për botën.

“Ata nuk do të kishin pranuar të ishin pjesë e administratës sime dhe unë nuk do t’u kisha kërkuar që të hynin në administratën time, nëse nuk do të kishim të njëjtat ide thelbësore për ta mbrojtur popullin amerikan dhe për të siguruar mirëqenie brenda vendit dhe paqe jashtë tij”,- tha zoti Obama.

Zoti Obama tha gjithashtu se është i angazhuar që ushtria amerikane të jetë më e fuqishmja në botë. Analisti Lorenc Korb i Qendrës për Përparimin Amerikan thotë se Presidenti i zgjedhur zgjodhi përvojën dhe qëndrueshmërinë në Pentagon përkundrejt dëshirës për të vendosur një demokrat besnik, apo për të bërë ndryshime dramatike në kohë lufte:

“Do të thotë që senatori Obama ndjehet mirë me të përsa i takon planit për t’u tërhequr nga Iraku, për ta vënë theksin tek diplomacia më shumë sesa tek forca ushtarake dhe po kërkon vazhimësi në mes të krizave të tjera brenda dhe jashtë vendit”.

Në fondacionin konservator Heritage, analisti Mekenzi Eglen thotë se zoti Gejts do t’i japë zotit Obama këshilla të pavarura dhe do ta ndihmojë në komunikimin me zyrtarët e lartë të ushtrisë, shumë prej të cilëve janë të shqetësuar që do të kenë një president pa përvojë ushtarake dhe që ka një plan t’i ridrejtojë përpjekjet e tyre tek tërheqja e trupave amerikane nga Iraku sa më shpejt të jetë e mundur:

“Ai konsiderohet si praktik, realist dhe pragmatist. Në thelb ai shihet si njeri që nuk priret nga njëra parti ose tjetra. Nuk ndjek një ideologji të caktuar. Dhe kjo i ka dhënë atij besueshmëri. Meqenëse Sekretari Gejts mund të krijojë një sens vazhdimësie me personalitetet e forta të njerëzve me uniformë, mund të jetë një vendim i zgjuar”.

Kur u caktua sekretar mbrojtjeje nga Presidenti Bush para dy vjetësh, zoti Gejts tha se mënyra sesi do të përfundonin luftrat në Irak dhe Afganistan, si edhe lufta globale kundër terrorizmit do të ishin vendimtare për botën. Presidenti i zgjedhur Obama i ka dhënë atij më shumë kohë për të ndihmuar në rezultatin e këtyre luftrave dhe sesi do të duket bota pas tyre.//lk

XS
SM
MD
LG