Lidhje

Ushtria amerikane e përgatitur për çdo të papritur gjatë tranzicionit


Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara përgatiten për tranzicion nga një administratë në tjetrën, Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk e ka ulur vigjilencën për kërcënime të mundshme nga elementë që duan të përfitojnë nga kjo situatë. Komandanti i Organizatës për Mbrojtjen Ajrore Veriore, NORAD, si dhe i Komandës Veriore Amerikane, Gjenerali Viktor Rejnort, i diskutoi këto sfida ditët e fundit në Institution Baker për Politikat Shtetërore në Hjuston.

Gjenerali Rejnort thotë se ushtria amerikane po bashkëpunon nga afër me Departamentin e Sigurimit Kombëtar dhe agjenci të tjera federale për të mbrojtur vendin nga kërcënime të njohura dhe të panjohura. Ai thotë se sulmet terroriste në Bombei të Indisë theksojnë nevojën për vigjilencë dhe përgatitje në përgjigje të zhvillimeve që mund të mos përputhen plotësisht me kërcënimet e deritanishme.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Gjenerali Rejnort tha se nevojitet vigjilencë e veçantë gjatë periudhës së ndryshimit të administratës në Uashington: "Kjo është periudhë tranzicioni dhe mendoj se është e arsyeshme të parashikojmë që armiqtë do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë periudhë. Roli ynë është të garantojmë një vazhdimësi të përpjekjeve të mbrojtjes dhe sigurimit dhe mbështetje civile për vendin."

Gjenerali Rejnort u përpoq gjithashtu të sqaronte rolin e brendshëm të Forcave të Armatosura amerikane gjatë një zhvillimi katastrofik. Gazeta Waashington Post botoi të hënën një raport ku thekson se 20 mijë trupa po dislokohen si njësi speciale për t’iu përgjigjur sulmeve të mundshme terroriste.

Grupe të të drejtave civile kanë shprehur shqetësimin se ky dislokim mund të minojë një ligj të posaçëm, që kufizon rolin e ushtrisë në ruajtjen e rendit brenda vendit. Por Gjenerali Rejnort thotë se këto trupa nuk do të përfshihen në ruajtje rendi, por do të përdoren vetëm në ndihmë të agjencive të tjera në përgjigje të katastrofave madhore:

"Kongresi i ka kërkuar Departamentit të Mbrojtjes rreth 3 vjet më parë të përgatitet për tre sulme katastrofike thuajse të njëkohëshme – të karakterit bërthamor, kimik, biologjik etj. Kjo aftësi na jep mundësi të kemi një organizatë të stërvitur më së mirë, të integruar dhe të aftë për t’u dislokuar shumë shpejt për të bërë analizat kimike, për të mos lejuar përhapjen e një agjenti toksik, për të përgatitur objektet për mjekim që do t’u vijnë në ndihmë agjencive shtetërore dhe federale të përgjigjen në situata të tilla."

Gjenerali Rejnort thotë se forcat e brendshme do të përbëhen nga 3 kontigjente me nga 4 mijë e 700 trupa. Kontigjenti i parë u formua në Fort Stewart të Xhorxhias më 1 tetor. Dy kontigjentet e tjera me forca të reagimit të shpejtë pritet të jenë të gatshme brenda vitit 2011.

Megjithatë, aktivistët për të drejtat civile vazhdojnë të ngrenë shqetësimin për atë që e konsiderojnë si zgjerim të autoritetit ekzekutiv dhe ushtarak në territor të brendshëm.

Në komentet para pjesëmarrësve në diskutimin e Institutit Baker, Gjenerali Rejnort foli gjithashtu për çështje si luftrat në Irak dhe Afganistan, mbrojtjen e porteve amerikane dhe bashkëpunimin me Kanadanë e Meksikën. Ai shprehu shqetësim lidhur me dhunën në rritje në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës si rezultat i përpjekjeve të Presidentit meksikan Felipe Calderon për të eliminuar bandat e kontrabandës së drogës.

Komanda Veriore Amerikane thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë çdo ndihmë të nevojshme për Meksikën, pasi një hap i tillë i shërben sigurisë së të dyja vendeve. //ad//

XS
SM
MD
LG