Lidhje

Shtimi i ritmeve të papunësisë, sinjal i thellimit të krizës ekonomike


Ekonomia amerikane ka humbur 153 mijë vende pune gjatë muajit nëntor, një shifër shumë më e lartë nga ç’pritej. Ky ishte raporti më negativ mbi vendet e punës në vend në 34 vjetët e fundit çka dëshmon sesa po thellohet kriza ekonomike.

Këtë vit ekonomia amerikane dikur e fortë, humbi rreth 2 milionë vende pune. Tregjet kishin parashikuar se këto humbje do të ishin shumë më të vogla ndaj edhe çmimet e aksioneve në bursë ranë fuqishëm kur u publikuan këto rezultate. Ekonomistja e Bankës Tokio Mitsubishi në Nju Jork i tha televizionit Blumberg se do të ketë humbje të tjera të vendeve të punës në të ardhmen veçanërisht nëse ndonjë nga tre kompanitë e mëdha të automjeteve në Detroit do të falimentojë.

"Kompani të cilat furnizojnë industrinë e makinave me mjete këmbimi do të duhet që të largojnë nga puna punëtorët e tyre. Ka një ndërvarësi të madhe prandaj në këtë rast do të bëhej fjalë për humbje të mëdha vendesh pune. Ndaj edhe qeveria e ka marrë seriozisht situatën dhe është shprehur mbi ndihmën konkrete që mund të japë.”

Sipas përllogaritjeve rreth 3 milionë vende pune kanë lidhje të drejtpërdrejtë me industrinë e makinave. Ndërkaq drejtuesit e tre kompanive të automjeteve dolën për të dytën ditë radhazi para komisioneve në Kongres duke dhënë arsyet përfundimtare pse Kongresi duhet t’u japë atyre huatë emergjente prej 34 milardë dollarësh për të siguruar mbijetesën e kompanive deri në muajin prill. Kongresisti demokrat nga Pensilvania, Poll Kanjorski, nuk është optimist se huatë do të lëvrohen menjëherë.

"Mund t’ju them se Kongresi nuk ka ndërmend t’i japë këto hua menjëherë. Besoj se kompanitë e automjeteve janë në rrezik.”

Por çuditërisht çmimet e aksioneve u përmirësuan ndjeshëm në mbyllje të shkëmbimeve kur indeksi industrial Dau Xhouns pati një rritje të fuqishme prej 259 pikësh. Por, Toni Duajër nga kompania FTN Midwest Securities në Klivëlend të Ohajos thotë se tregjet financiare globale vazhdojnë të qëndrojnë praktikisht të ngrira.

"Na duhen njerëz që të blejnë bonot e korporatave. Vetëm atëherë kompanitë do të jenë në gjendje të shtojnë kapitalinin e tyre dhe të investojnë për të ardhmen.”

Ndërkaq çmimet e naftës vazhduan të bien duke arritur shifrën prej 40 dollarë për fuçi ditën e premte. Kështu vetëm këtë javë vlera e naftës ka rënë 25%. Si rezultat, çmimi i naftës së papërpunuar ka mbërritur shifrat më të ulta që prej dhjetorit të vitit 2004. Çmimet e karbureve po bien si pasojë e rënies së menjëhershme të kërkesës botërore për to. //ad//

XS
SM
MD
LG