Lidhje

Loja e shahut, gjithnjë e më e pranishme në shkollat amerikane


Studimet në vende të ndryshme të botës tregojnë se shahu është një lojë e dobishme, sidomos për të rinjtë.

Të frymëzuar nga kjo, shumë mësues në shkollat amerikane po përpiqen ta bëjnë shahun pjesë të jetës së nxënësve të tyre.

Franki Roth ishte fëmijë me probleme. Drejtoresha e shkollës Xhorxhia Klark, e kujton mirë ditën kur u takua me të për herë të parë. "Përshtypja ime e parë për Frankun ishte se do të duhej të bënim diçka për këtë fëmijë. Ai ishte në klasë të tretë dhe kishte vështirësi në komunikimin me çdo të rritur që takonte."

Klark vendosi ta regjistrojë Frankun në një kurs jashtëshkollor për mësimin e shahut. Nuk kaluan veç disa muaj dhe ndryshimi ishte vërtet i madh. "Kur ai pa se mund të kishte sukses në klubin e shahut, gjërat filluan t’i buzeqeshin. Dy vitet e fundit kam parë tek ai një ndryshim të madh."

Rreth 30 vende, duke përfshirë Rusinë, e vlerësojnë aq shumë shahun sa që e kanë përfshirë në programet shkollore. Dy ndër kampionët më të mëdhenj të shahut, Garry Kasparov dhe Anatoly Karpov, janë rusë. Shtetet e Bashkuara kanë mbetur prapa në këtë fushë. Sot, një numër gjithnjë e më i madh shkollash publike amerikane ofrojnë kurse jashtëshkollore shahu.

Xhim Fajt është themelues dhe trainer i klubit të shahut në shkollën fillore North East. Ekspertët, thotë ai, mendojnë se shahu bën mirë për trurin e fëmijës, madje duke filluar nga mosha dy vjeçare. "Të gjithë ata thonë pa më të voglin dyshim se shahu e ndihmon intelektin e fëmijës, e ndihmon atë në shprehitë matematike dhe ato të lexuarit. Ideja është që kjo nuk kërkon shumë gjëra: një kuti shahu, gurët dhe një dhomë por përfitimi është i jashtëzakonshëm.”

Disa nxënës shahistë në këtë shkollë fillore e pëlqenin shahun jo për përfitimet intelektuale se sa për besimin te vetvetja që ai të krijon. "Kur fitoj, ndjehem shumë i gëzuar sidomos kur fitoj ndaj një tjetri që është shumë i mirë", thotë një nxënës. "Më pëlqen të lëviz gurët dhe të eliminoj ato të kundërshtarit, mbretëreshën e të tjerat…

Nxënësit e Merilendit luajnë edhe në kampionate dhe bile 2 shahistët më të mirë, ata që marrin më shumë pikë, fitojnë bursa të plota për në Universitetin e Merilendit në Baltimor."U them gjithnjë fëmijëve se është më e lehtë të fitosh bursën me shah se sa duke u marrë me futboll. Sepse shikoni sa shumë fëmijë luajnë futboll dhe përplasen me njëri-tjetrin, kurse në shah mjafton të ulesh në karrige dhe të lëvizësh gurët."

Shinsaku Uesugi është nxënës i shkollës së mesme ne periferi të Uashingtonit. Në moshën 13 vjeçare ai fitoi një bursë të tillë, duke luajtur shah. Ai thotë se fëmijët duhet të luajnë shah pavarësisht nëse e fitojnë apo jo bursën. Frankie Roth, mendon se shahu e ka ndihmuar të vlerësojë veten. Më parë ai nuk shkonte mirë me mësime kurse tani ka ndryshuar. "Shahu më ka ndihmuar të jem i durueshëm dhe t’i mendoj gjërat mirë. Më pëlqen të luaj por kur fitoj, më të ndihem më mirë!"

//rd//

XS
SM
MD
LG