Lidhje

Obama: Rimëkëmbja ekonomike në plan të parë


Presidenti i zgjedhur Barack Obama thotë se do të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar ekonominë amerikane dhe për të çuar përpara rritjen ekonomike afatgjate në vend. Ai po kështu ripohoi gjatë një interviste televizive se ka ndërmend të tërheqë trupat luftarake amerikane nga Iraku pasi të fillojë punën si president.

Gjatë gjithë fushatës presidenciale, zoti Obama premtoi se do të ndryshonte politikat ekonomike amerikane dhe se do të luftonte pasojat e krizës ekonomike.

Që pas zgjedhjeve të nëntorit, gjendja ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm. Shtetet e Bashkuara kanë hyrë zyrtarisht në reçesion, vendi ka pësuar humbje të mëdha të vendeve të punës, sekuestrimet e shtëpive kanë vazhduar dhe tregu financiar ka pësuar ulje-ngritje të shumta dhe ekstreme.

Shpenzimet e papara federale nuk kanë pasur shumë efekt as për të zbutur tkurrjen e madhe të kredisë e as nuk kanë përmirësuar gjendjen e korporatave në nevojë.

Zoti Obama pranoi vështirësinë e situatës gjatë një interviste në emisionin “Takimi me Shtypin” në kanalin televizic NBC.

"Problemi që kemi përpara është i madh dhe do të thellohet më tej. Prioritet im kryesor do të jetë që programi i shpëtimit ekonomik të jetë i përshtatshëm për gjendjen e krijuar”.

Ditëve të fundit presidenti i zgjedhur zbardhi një plan ambicioz për të kthyer amerikanët në vendet e punës, për të rindërtuar infrastrukturën e vendit dhe për të kursyer energjinë në Shtetet e Bashkuara.

Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku vazhdon të jetë në fokusin e mediave amerikane. Zoti Obama përsëriti shpesh gjatë fushatës presidenciale se do të tërhiqte trupat amerikane nga Iraku 16 muaj pas betimit të tij si president i Shteteve të Bashkuara.

Duke folur në emisionin e televizionit NBC zoti Obama tha se ai vazhdon t’i përmbahet zotimit të tij për t’i dhënë fund luftës në Irak edhe pse nuk dha ndonjë datë specifike se kur do të ndodhë kjo.

"Një nga masat e para që do marr si Presidenti do të jetë të thërras një takim mes Shefave të Shtatmadhorisë dhe ekipit tim të sigurisë kombëtare ku do të hartojmë një plan për një tërheqje të përgjegjshme të trupave nga Iraku. Kur nisa fushatën kishte shumë kundërshti mbi idenë e fillimit të proçesit të tërheqjes së trupave nga Iraku. Tani kemi parë që administrata e presidentit Bush ka firmosur një marrëveshje me qeverinë irakiane për krijimin e një kornize kohore mbi tërheqjen e trupave amerikane nga atje”.

Presidenti i zgjedhur, i cili kundërshtoi pushtimin e Irakut në vitin 2003 kur shërbente si senator i shtetit të Ilinoit, tha se ka ndërmend të veprojë me shpejtësi por edhe të ruajë stabilitetin në Irak. Ai tha se duhet të ketë një mekanizëm ku Iraku të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet por pa lejuar një ringjallje të terrorizmit në vend. //ad//

XS
SM
MD
LG