Lidhje

60-vjetori i miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut

  • Filip Adams
  • Uashington

Sot është 60-vjetori i miratimit të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Njeriut, me nismën e Zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara dhe delegate në OKB, Eleonor Ruzvelt. Deklarata e të Drejtave të Njeriut garanton të drejtat politike dhe qytetare për të gjithë njerëzit, përfshi të drejtën e çlirimit nga tortura, skllavëria, varfëria, mungesa e strehimit dhe forma të tjera shtypjeje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Filip Adams njofton lidhur me ndikimin që ka patur deklarata në 6 dekadat e fundit, si dhe për sfidat me të cilat përballen sot mbrojtësit e saj.

Shumica e njerëzve sot pranojnë si të vërtetë, se garantimi i të drejtave të njeriut është një tipar i nevojshëm për të gjitha shoqëritë e cilivilizuara. Por sipas Leri Koks, i organizatës së të të drejtave të njeriut “Amnesty International USA”, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut ishte produkt i një momenti historik unik.

"Ajo erdhi pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, pas Depresionit të Madh dhe natyrisht, pas tmerreve të papërshkrueshme të Holokaustit, që e bënë botën të kuptonte se diçka duhej thënë."

Zoti Koks shton se ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miratoi më në fund Dekleratën me 48 vota por dhe asnjë kundër, u desh një përpjekje e madhe diplomatike për t’i bërë vendet me pikëpamje të ndryshme të binin dakord se cilat janë, apo cilat duhet të jenë të drejtat e njeriut.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut nuk është traktat. Megjithatë, ngaqë qëllimi i saj është përcaktimi i termave të lirive themelore dhe të të drejtave të njeriut të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të gjitha vendet anëtare të OKB-së i përbahen asaj. Dhe sipas Leri Koks, Deklatara Universale e të Drejtave të Njeriut ka marrë forcën e ligjit ndërkombëtar dhe ka mbështetur lëvizjet e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

"Gjatë këtyre dekadave kemi parë rënien e diktaturave në Amerikën Latine. Kemi qenë dëshimtarë të rënies së Bashkimit Sovjetik dhe diktaturave të tjera, si aparteidi racial. Në vende si Argjentina dhe Kili, nënat e të zhdukurve kanë cituar pikërisht Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut në protestat e tyre dhe ato mobilizuan botën dhe ushtruan presion ndaj qeverive. Dhe eventualisht, këto diktatura janë rrëzuar. Mund të përmendim shembullin e Filipineve, kur njerëzit cituan pikërisht Deklaratën Universale gjatë luftimeve kundër diktatorit Markos. Edhe në Poloni, sindikalistët dolën nëpër rrugë për të protestuar kundër shtypjes dhe diktaturës. Të gjitha këto janë në një farë mënyre, shprehje e Deklaratës Universale, të miratuar nga qeveritë vendeve e botës në vitin 1948."

Natyrisht, që këto premtime jo gjithmonë janë mbajtur. Pegi Hiks, drejtoreshë e Organizatës "Human Rights Watch", për të drejtat e njeriut, thotë se vende në zhvillim dhe ato të zhvilluara janë akuzuar për shkelje të dispozitave të Deklaratës Universale, sidomos të Artikullit të 5-të të saj, që ndalon torturën.

"Në epokën ku sot jetojmë, ka nga ata që do të thonin se ka raste, kur artikulli kundër torturave nuk duhet t’i ndalojë disa masa, të cilat do të ishin të nevojshme për disa njerëz që kanë kryer krime. Por Deklerata e të Drejtave të Njeriut e hedh poshtë këtë argument, duke thënë, “Jo, ju si qeveri dhe nënshkrues të Deklaratës së të Drejtave Universale dhe i traktateve që pasuan atë, keni një përkushtim se pavarësisht nga argumentet, si çështja e sigurisë kombëtare, e të tjera, ne nuk do të lejojmë që këto të ndodhin, sepse ne e dimë se dëmi që do të shkaktohej nga tortura e tejkalon çdo avantazh që do të mund të arrihej prej përdorimit të saj për ndëshkimin e disa njerëzve”, - thotë Hiks.

Artikulli 25 i Deklaratës Universale thotë, se gjithësicili ka të drejtën për një standart jetese të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqenien e vetvetes dhe familjes së vet, përfshi ushqimin. Kjo është arsyeja për se konsiderohet shkelje e të drejatve të njeriut për çdo qeveri që ndalon shpërndarjen e ndihmave humanitare për çdo pjese të popullsisë, apo që lejon diskriminimin ekonomik ndaj çdo grupi të popullsisë. Por Lerri Coks i “Amnesty International” pranon se ka një rrugë të gjatë për t’u përshkruar para se të arrihet respektimi i të drejtave njerëzore. Por ai mendon se që nga koha e miratimit në vitin 1948 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ajo nuk ka qenë thjesht një ideal abstrakt i shkruar në letër.

Në të vërtetë, shton zoti Koks, veprimi është ai që e bën Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut një dokument të gjallë, për të cilin ja vlen të luftosh, një dokument i cili duhet vlerësuar dhe përmbushur në çdo ditë të jetës.//lk

XS
SM
MD
LG