Lidhje

Obama: Nuk kam pasur kontakte me zyrën e guvernatorit Bllagojeviç


Presidenti i zgjedhur Barak Obama thotë se nuk e ka diskutuar vendin e mbetur bosh në Senat me Guvernatorin e shtetit Ilinoi, Rod Bllagojeviç, i cili u arrestua në fillim të javës nën akuza për korrupsion. Skandali po largon vëmendjen nga përgatitjet për inaugurimin e presidentit të 44-t të Shteteve të Bashkuara:

Presidenti i zgjedhur Barak Obama bëri dje komente për shtyp në Çikago për të njoftuar emërimet e disa zyrtarëve në poste të rëndësishme. Por zoti Obama u ndal edhe skandali lidhur me guvernatorin e Ilinoit Rod Bllagojeviç, i cili u arrestua të hënën nën akuzat se po përpiqej t’ia shiste vendin e zotit Obama në Senat kandidatit me ofertën më të lartë.

Zoti Obama tha se ishte tronditur dhe zhgënjyer kur mësoi hollësitë e publikuara nga prokurorët federalë që po hetojnë këtë çështje: “Nuk kam pasur kontakte me zyrën e guvernatorit. Nuk e kam diskutuar këtë çështje me guvernatorin. Këtë e di me siguri.”

Zoti Obama theksoi më tutje se kishte bindjen se asnjë anëtar i ekipit të tij të tranzicionit nuk ka qenë i përfshirë në përpjekjet që pretendohet se ka bërë guvernatori për të shitur vendin në Senat: “Unë dua të grumbulloj të gjitha faktet për çdo kontakt që mund të ketë pasur zyra e tranzicionit me zyrën e guvernatorit dhe brenda pak ditësh do t’i paraqesh këto fakte. Por jam plotësisht i bindur për një gjë, se zyra ime nuk kishte gisht në aferet lidhur me vendin tim në Senat. Për këtë jam i bindur.”

Zoti Obama tha se beson që guvernatori Bllagojeviç nuk mund t’i shërbejë më me efektivitet popullit të Ilinoit dhe duhet të japë dorëheqjen. Presidenti i zgjedhur tha se vendi i tij i mëparshëm në Senat nuk është pronë dallaveresh për asnjë politikan dhe populli i Ilinoit meriton përfaqësimin e duhur.

Ndërkaq, Prokurorja e Përgjithshme e Ilinoit Lisa Madigan tha se është e gatshme t’i kërkojë Gjykatës së Lartë të shtetit ta shpallë zotin Bllagojeviç të papërshtatshëm për të përmbushur detyrën e tij. Skandali i Bllagojeviçit tërhoqi vëmendje edhe në Shtëpinë e Bardhë nga zëdhënësja Dana Perino: “Presidenti beson se është një situatë shumë serioze dhe akuzat janë tronditëse, por për faktin se po zhvillohet një proces hetimor, nuk do të bëjmë komente.”

Skandali mbi emërimin e senatorit që do t’i zërë vendin zotit Obama ka larguar vëmendjen nga përpjekjet e presidentit të zgjedhur për të formuar administratën e ardhshme dhe për të marrë në shqyrtim krizën ekonomike. Zoti Obama njoftoi se ka zgjedhur Senatorin Tom Deshël si Sekretar i ardhshëm i Departamentit të Shëndetësisë. Zoti Deshël pritet të drejtojë përpjekjet e ardhshme të administratës për të reformuar sistemin shëndetësor të Shteteve të Bashkuara. //ad//

XS
SM
MD
LG