Lidhje

Shtohet numri i amerikanëve që shkojnë në punë me biçikleta


Më shumë amerikanë se kurrë më parë po përdorin biçikletat në vend të makinave për të shkuar në punë. Kjo zgjedhje bëhet si pasojë e çmimeve të larta të naftës, rënies ekonomike dhe shqetësimeve të tyre për ambientin.

Shumë amerikanë po i lënë makinat në shtëpi dhe po përdorin biçikletat për të shkuar punë. Andi Klark është drejtor ekzekutiv i ligës së biçiklistëve amerikan. Grupi i tij e përkrah përdorimin e biçikletave për argëtim, për ushtrime fizike dhe si mjet transporti.

Zoti Klark thotë se një veprim i tillë nga amerikanët është një lajm i mirë për ambientin. Ai thotë se përdorimi i biçikletave për të shkuar në punë nuk kërkon karburant dhe nuk ndot ambientin.

Ekspertët thonë se ndikimi më i madh ndjehet kur njerëzit përdorin automobilat për të kaluar distanca të shkurtra për të shkuar në punë. Departamenti Amerikan i Transportit thotë se 55 përqind e amerikanëve ngasin makinën për 8 ose më pak kilometra për të arritur në punë. Udhëtimet e shkurtëra me makinë rezultojnë në një përqindje më të lartë ndotjeje për mjedisin për çdo kilometër të përshkuar. Një gjë e tillë ndodh pasi nevojitet kohë që paisja kundër ndotjes e vendosur në motor të ngrohet dhe të funksionojë mirë.

Anëtarët e Kongresit kanë përkrahur përdorimin e biçikletave si mjet transporti që ndihmon ambientin. Për shembull, përfaqësuesi nga shteti Minisota, James Oberstari është përkrahës i fortë i përdorimit të biçikletës si mjet transporti. Ai thotë se qytetet, komunat, autoritetet vendore dhe agjencitë shtetërore të autostradave po planifikojnë rrugëkalime për biçikletat. Ata po krijojnë korsi të veçanta për biçikleta në qytete dhe mes lagjeve të ndryshme.

Vitin e kaluar, pjesa veriore e qytetit Portland në shtetin Oregon, kishte numrin më të madh të personave që përdorin biçikletën si mjet transporti në Shtetet e Bashkuara. Për shumë vite qyteti Portland ka bërë planifikim urban me ide më përparimtare duke krijuar rrugë të veçanta për biçikleta.

Andreu Land është një nga ata që çdo ditë përdorin biçikletën për të shkuar në punë. Zoti Land është 33 vjeç dhe ai asnjëherë nuk ka pasur makinë. Ai ka përdorur biçikletën për të shkuar në punë për afër 12 vjet.

Gjashtë vjet më parë, para se të vendosej me banim në Portland, ai jetonte në Uashington, ku ishte përplasur dy herë nga makinat, gjatë rrugës për në punë me biçikletë. Që kur u vendos në Portland, tregon ai, nuk ka pasur aksidente të tilla, pasi aty ka rrugë të veçanta për biçikleta. Ai bleu një shtëpi që gjindej pranë këtyre korsive për biçikleta dhe tani e nget biçikletën për afër 5 kilometra për të shkuar në punë. Ai poashtu shfrytëzon korsinë unazë për biçikleta me gjatësi 64 kilometra përreth qytetit.

Andreu Land ka një tip të veçantë biçiklete që ndërthur teknologjinë e biçikletave të garave dhe atyre për terrene malore. Andrew është i angazhuar seriozisht në përpjekjet për të shtuar korsitë për biçikleta dhe për t’i shndërruar rrugët e qyteteve në mjedise më të pranueshme për biçikletat. Për këtë qëllim ai është ka ndjekur kohët e fundit edhe një seminar mbi të drejtat ligjore që ka individi që nget biçikletën në qytet.//kk//

XS
SM
MD
LG