Lidhje

Sek. Gejts diskuton strategjinë ushtarake amerikane në Irak


Gjatë një vizite të palajmëruar në Irak, sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gejts u tha trupave amerikane se misioni i tyre në Irak ishte në përfundim, por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të shtojnë numrin e trupave në Afganistan. Sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gejts foli para trupave amerikane në Balad të Irakut, ku theksoi se Shtetet e Bashkuara ishin drejt përfundimit të misionit të tyre në Irak. Ai këmbënguli se kontributi i tyre për stabilitetin në vend mbetet i një rëndësie të veçantë.

Gjatë një takimi me personelin ushtarak amerikan, zoti Gejts foli në hollësi mbi vizionin e presidentit të zgjedhur Barak Obama për uljen e numrit të trupave dhe shpjegoi se kjo përfaqëson një ndryshim me rëndësi të misionit.

Zoti Gejts përllogariti se trupat amerikane do të largoheshin nga qytetet dhe zonat e populluara irakiane brenda 30 qershorit të vitit të ardhshëm, përpara se irakianët do të votojnë për një referendumin mbi marrëveshjen e sigurisë mes dy vendeve i cili pritet të zhvillohet në muajin korrik. Siç tha ai, brenda kësaj date, amerikanët do t’ia kenë dorëzuar të 18 provincat autoriteteve të Irakut.

"Forcat tona do të zvoglohen me kalimin e kohës dhe do të bëhen gjithnjë e më pak të dukshme. Forcat irakiane të sigurisë do të vazhdojnë të mbajnë gjithnjë e më shumë peshën e sigurisë në vend. Por megjithë deklaratat mbi shtimin e përqendrimit amerikan në Afganistan, mos kini dyshim se misioni juaj dhe i gjithë trupave amerikane në Irak mbetet jashtzakonisht i rëndësishëm gjatë kësaj periudhe kyçe tranzicioni."

Megjithatë, kryekomandanti amerikan në Irak, gjenerali Reimond Odierno tha se forcat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë në qytetet irakiane përtej qershorit, afatit të caktuar për tërheqjen e tyre nga zonat urbane.

Vizita e zotit Gejts në Irak ndodhi rreth dy javë pasi parlamenti irakian votoi mbi ratifikimin e një marrëveshje të re sigurie me Shtetet e Bashkuara e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Udhëheqës ushtarakë kanë përsëritur se ata nuk mund të dërgojnë 20 mijë apo më shumë forca shtesë në Afganistan përpara se niveli i trupave në Irak të ulet. Zoti Gejtjs megjithatë tha se prania ushtarake amerikane në Afganistan nuk do të arrijë asnjëherë numrin e trupave në Irak.

"Është e pamundur që numri i trupave tona në Afganistan të jetë i njëjtë me atë në Irak. Kështu që besoj se do ta përmbushim kërkesën e gjeneralit Dejvdi Mekirnën për katër brigada luftarake shtesë por unë do të isha shumë i shqetësuar nga një shtim shumë më i madh trupash në Afganistan. Sovjetikët kishin 120 mijë trupa atje dhe e humbën luftën pasi atyre u mungoi mbështetja e popullit afgan dhe nëse shtojmë numrin e trupave deri në atë pikë atëherë ne do të shihemi si pushtues dhe jo më si aleatë apo mbështetës të popullit afgan.”

Sekretari amerikan i mbrojtjes Gejts i bëri këto komente vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se do të shtojnë mijëra trupa në Afganistan deri në verën e ardhshme. Zoti Gejtjs deklaroi në Kandahar ditën e enjte se ushtria amerikane pritet të mbajë një numër të konsiderueshëm trupash në Afganistan edhe për disa vite të tjera. //ad//

XS
SM
MD
LG