Lidhje

Zgjedhja e Barak Obamës ka rritur kërkesat për suvenire


Interesimi i madh me të cilin u prit zgjedhja e Barak Obamës si president po shprehet tani edhe në shitjet e suvenirëve. Në Uashington, dyqanet që shesin suvenirë shpresojnë të arrijnë fitime rekord tani që zyrtarët parashikojnë se në kryeqytet do të vijnë rreth 4 milion njerëz për të parë ceremoninë e përurimit të presidentit të ri më 20 janar.

Shitësit e rrugëve në Uashington i shikon në kohë të mirë dhe të keqe. Me autobusët e tyre të bardhë ata shesin suvenirë të çdo lloji që pasqyrojnë përurimin e presidentit të ri. Turistët e huaj, të thonë ata, po blejnë me shumicë objekte të tilla, si këta dy londinezë.

"Një gjë të tillë nuk e shikon në Britani. Jo shumë njerëz veshin bluza me Obamën."

Një dyqan i uron mirëseardhjen blerësve në një zyrë ovale ku ata përshëndeten nga presidenti i zgjedhur Obama. Blerësit mund të qendrojnë edhe në një podium presidencial.

Shelli Martinez, nga Detroiti po kërkon një suvenir për të atin.

"Ai do ta mbajë atë gjithë jetën, siç e ka zakon."

Ndërsa këtu, njerëzit provojnë salcën pikante të inaugurimit të quajtur Obama. Ose luajnë golf me topa golfi presidencialë.

"Javën e kaluar dikush pyeti nëse shisnim doreza furre me fytyrën e Obamës. Ishte diçka që nuk e prisja."

Një laps këtu kushton 50 centë kurse një tavolinë presidenciale 9 mijë dollarë.

"Dhe, sa kushton një portret i Obamës? 36.99 ose 39.12 dollarë duke përfshirë taksën."

Jim Warlick do të hapë 6 dyqane me sende inaugurimi.

"Do të punësoj 75 njerëz dhe do të rrimë hapur ditë e natë."

Warlick ka porositur 250 mijë emblema. Por për shkak të kërkesës së madhe ai i ka kërkuar prodhuesit që të vijë e t’i prodhojë ato në Uashington.

“Zakonisht, emblemat shiten shumë sepse njerëzit i blejnë si dhurata. Janë diçka që e ruan vlerën".

Shitësi Sam Jun ka 30 vjet që merret me këtë punë. Ai shpreson që të shesë 15% më shumë se sa gjatë inaugurimit të Presidentit Bush në vitin 2005. Autoritetet e Uashingtonit po e kufizojnë numrin e shitësve për ditën e përurimit dhe do të nxjerrin vetëm 500 leje. Shitësit mund të punësojnë nga vetëm 3 vetë dhe secili duhet të kalojë nëpër kontrollin e FBI-së.

Elis Anderson përpiqet të mos i shpëtojë rasti për të blerë suvenirë.

"I blej si kujtim për tua lënë fëmijëve e ndoshta ata do tua lenë fëmijëve të tyre. Është një rast historik."

Ditën e përurimit, këto rrugë do të jenë plot njerëz dhe radhët për të blerë suvenirë do të zgjaten shumë. Të gjithë duan të kenë diçka nga dita kur afrikano-amerikani i parë në histori do të bëjë betimin si president i vendit. //kk//

XS
SM
MD
LG