Lidhje

Ekspertët e terrorizimit nxjerrin mësime nga sulmet e Bombeit


Policia në Indi thotë se ka identifikuar nëntë ekstremistët e dyshuar që humbën jetën në sulmet e Bombeit duke zbuluar hollësi të reja për ta, përfshirë vendin në Pakistan nga ata vinin. Sulmi terrorist dhe mënyra se si ai u krye po studiohet nga ekspertët e terrorizmit për të parë se çfarë mësimesh mund të nxirren prej tij. Ata paralajmërojnë se terroristët mund të përdorin taktika të ngjashme me ato të autorëve të sulmeve në Bombei.

Banda e terroristëve që sulmoi Bombein ishte e armatosur jo vetëm me granata, por edhe me celularë, paisje satelitore dhe mjete të tjera të teknologjisë së lartë. Ky nivel sofistikimi i shqetëson ekspertët që paralajmërojnë se sulmet e Bombeit mund të jenë fillimi i një prirjeje të rrezikshme. David Heiman është ekspert i sigurisë kombëtare në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Zbritja në plazh, paisjet satelitore, përdorimi i Google, komunikimi me celular, mendoj se është shumë më i sofistifikuar se autorët e sulmeve të 11 shtatorit që përdorën me efektivitet programe për kontrollin e fluturimeve”.

Ekspertët thonë se komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë se nëse terroristët po përdorin një teknologji më të sofistikuar, ata mund të ndërmarrin një ditë sulme me materiale radioaktive apo armë biologjike.

Eksperti i lëndëve bërthamore Leonard Spektor thotë se mizoria e shfaqur nga terroristët në Bombei ngre shqetësime për ambiciet bërthamore të Iranit. Ai thotë se nëse Irani zhvillon armë bërthamore ekziston rreziku që materiali bërthamor të mund të përfundojë në duart e terroristëve.

“Mund të gjendemi në situatën kur armët ekzistojnë, por nuk dihet me siguri se kush i kontrollon ato, kush është përgjegjës për çdo aspekt të prodhimit të tyre, për mbajtjen e materialit bërthamor, për shembull. Kjo është e paqartë për botën e jashtme dhe ndoshta edhe nga brenda”.

Përgatitja më e mirë është një pjesë e përgjigjes, thonë ekspertët të cilët vënë në dukje se India teorikisht ka plane të detajuara për të përballuar sulmet bërthamore ose biologjike. Por në rastin e Bombeit, forcat indiane të sigurisë u gjendën krejtësisht të papërgatitura, thotë zoti Heiman.

“Po ta shohësh nga larg, po merren hapa pozitive, por ne e pamë sesa të papërgatitur ishin ata për këto sulme. Ata kanë më pak se 100 barka për të mbajtur nën kontroll brigjet që janë të përmasave të Shteteve të Bashkuara”.

Megjithatë mësimi më i rëndësishëm që nxirret nga sulmet terroriste të Bombeit është për agjencitë e rendit kudo në botë, thotë këshilltari i Azisë Jugore në Departamentin e Shtetit Seth Beili.

“Mendoj se është gabim shumë i madh që në qytetin më të madh, kryeqytetin financiar Bombei nuk ka një forcë të përhershme komandosh. Jam i sigurt që nuk do të përsëritet më”.

Ekspertët thonë se mesazhi nga sulmi i Bombeit është se ndonëse është e pamundur të eliminohet krejtësisht terrorizmi, një përgatitje më e mirë e bën të mundur kufizimin e dëmeve të shkaktuara nga terroristët dhe mposhtjen e synimit të tyre.//kk//


XS
SM
MD
LG