Lidhje

OPEK-u do të shkurtojë prodhimin e naftës


<!-- IMAGE -->

Sekretari i Përgjithshëmi OPEC-ut thotë se karteli ka vendosur uljen e prodhimit të naftës me 2.2 milionë fuçi në ditë, duke filluar nga një janari. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Eduard Jeranian, na informon nga Kajroja se vendet anëtare të OPEC-ut po bëjnë thirrje për shkurtimin e prodhimit me qëllim që të stabilizojnë çmimet që kanë rënë më shumë se 100 dollarë për fuçi që nga muaji korrik.

Sekretari i Përgjithshëm i OPEC-ut, Abdallah Badri, thotë se sipas kuotave të reja do të shkurtohet prodhimi i naftës në 4.2 milionë fuçi në ditë.

Shkurtimi i ndjeshëm prej më shumë se 2 milionë fuçish që nga muaji shtator, që fillon në janar, pritej prej kohësh. Ministrat e OPEC-ut kishin parashikuar disa nisma dramatike për të penguar rënin e çmimeve të naftës që nisi në mes të korrikut.

Presidenti i OPEC-ut, ministri i Naftës i Algjerisë, Çakib Khalil, tha se kjo organizatë kërkon uljen e prodhimit edhe nga vende që nuk janë anëtare të OPEC-ut, me qëllim që të paksohen tepricat.

Zoti Khalil thotë se OPEC-u po zhvillon bisedime me Meksikën, Rusinë dhe Norvegjinë që ata të ulin prodhimin, me qëllim që sëbashku me shkurtimet e OPEC-ut masa të jetë më e efektshme.

Arabia Saudite që është prodhuesja më e madhe e naftës, vuri në dukje kohët e fundit se shumë vende mund të pezullojnë prodhimin, në qoftë se çmimi i naftës bie nën 40 dollarë për fuçi, pasi nxjerrja e naftës në këto kushte nuk do të ishte fitimprurëse. Çmimi i naftës bruto ka rënë rreth 70 përqind që kur kapi shifrën rekord prej 147 dollarësh për fuçi më 11 korrik.

Analisti i prodhimit të naftës, Valid Khaduri i Sondazhit Ekonomik të Lindjes së Mesme, thotë se prodhimi i naftës mund të shkurtohet më shumë nga sa kanë pritur shumë njerëz.

“Para së gjithash, janë dy milionë fuçi më pak nga OPEC-u dhe rreth 600 mijë jo vetëm nga Rusia, por edhe vende të tjera. Së dyti, për mendimin tim kjo do të ndalte rënin e çmimit në vendet e OPEC-ut . Ulja e prodhimit me 2.6 miliardë dollarë është një hap shumë i rëndësishëm. Kjo ulje përbën rreth tre përqind të prodhimit. Është më shumë nga sa ka pritur tregu”.

Megjithë shkurtimin e ndjeshëm të parashikuar, zoti Khaduri mendon se ka mundësi që kriza ekonomike botërore mund të ketë ndikim të madh edhe në vendet e OPEC-ut, duke e bërë të paefektshme këtë ulje të prodhimit të naftës.

“Mendoj se kriza ekonomike botërore mund ta bëjë këtë vendim të padobishëm. Por ata po përpiqen të zgjidhin edhe një problem tjetër, shtimin e rezervave për peridhën e ftohtë të vitit. Gjatë sezonit të dimrit konsumi shtohet për shkak të përdorimit për ngrohje. Por tani ata po shikojnë një shtim të rezervave në gjithë botën, prandaj po përpiqen të përballojnë dy faktorë, rënien e kërkesës dhe shtimin e rezervave”.

OPEC-u njihet historikisht për reagimin e tij të ngadaltë dhe të vonuar ndaj krizave ekonomike. Në vitet 1999 dhe 2001, ky kartel uli prodhimin e naftës, por jo atëhere kur duhej për të parandaluar rënin drastike të çmimeve. Këtë herë mbetet për t’u parë nëse OPEC-u do të ketë më shumë fuqi për ta çuar çmimin e naftës në 75 dollarë për fuçi, çmin që shumë vende të OPEC-ut mendojnë se është i drejtë. //iç//

XS
SM
MD
LG