Lidhje

Sfidat e administratës së re amerikane në Azinë Jugore


Barak Obama fillon detyrën e presidentit në një kohë tensionesh dhe pasigurish në Azinë Jugore. Pakistani po përpiqet të zbusë shqetësimet në rritje në Perëndim si dhe mes vendeve fqinje se ky vend është strehë e terroristëve, ndërkohë që në Afganistan janë forcuar elementët kryengritës. Ekspertët thonë se administratës së presidentit Obama do t’i duhet të balancojë marrëdhëniet me Kabulin dhe Islamabadin.

Luftëtarët talebanë dhe ata të al-Kaidës kanë përdorur zonat e Pakistanit të administruara nga grupe të ndryshme fisnore, si baza për të ndërmarë sulme kundër trupave amerikane dhe atyre të NATO-s në Afghanistan.

Sulmet u shtuan ndjeshëm kët vit krahasuar me një vit më parë.

Analistët thonë se Barak Obamës do t’i duhet të gjejë një mënyrë për t’i bërë presion Pakistanit që të shtypë militantët pa minuar qeverinë e re demokratike të vendit si dhe për të forcuar qeverinë delikate të Afganistanit.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Obama tha se do të ishte gati të sulmonte bazat e talebanëve dhe të al-Kaidës në Pakistan.

“Në se Shtetet e Bashkuara mësojnë vendndodhjen e Bin Ladenit apo udhëheqësve të tjerë të lartë dhe Pakistani nuk është në gjendje apo i gatshëm të veprojë, atëhere ne duhet t’i asgjësojmë ata”.

Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur tashmë kryengritjes në rritje me sulme me aeroplanë pa pilot dhe me të paktën disa sulme sekrete të njësive speciale matanë kufirit në rajonin e grupeve fisnore, i njohur si FATA. Zyrtarët amerikanë as nuk i kanë konfirmuar e as mohuar këto njoftime.

Por këto sulme janë pasuar me protesta anti-amerikane në Pakistan madje disa analistë thonë se ato kanë nxitur edhe simpati për militantët.

Meliha Lodi, ish ambasadore e Pakistanit në Uashington dhe Londër, thotë se sulmet kanë krijuar atë që ajo e quan “mungesë të besimit”.

“Këto sulme kanë pasur një ndikim kundër produktiv në Pakistan sepse ato po e kthejnë opinionin publik kundër Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu po bëhet shumë e vështirë për qeverinë e re demokratike që të sigurojë mbështetjen e publikut për operacionet kundër terrorizmit”.

Talebanët u krijuan me ndihmën e shërbimit pakistanez të zbulimit, i cili donte të kishte ndikim në Afganistan. Sesa dhe nëse Talebanët marrin tani ndihmë nga shërbimi pakistanez i zbulimit është një çështje e debatueshme. Pakistani mohon se sponsorizon ndonjë grup kryengritës.

Ambasadorja Meliha Lodi thotë se Pakistani po bëhet viktimë e dështimeve të politikës amerikane dhe qeverisë së re afgane.

“Në fakt, një sërë gabimesh strategjike, mungesa e objektivitetit të qartë dhe përparësive të duhura si dhe gabimet ushtarake bënë që kryengritja të zhvendosej në Pakistan. Për këtë nuk kam asnjë dyshim”.

Qeveria e re e Pakistanit e presidentit Asif Ali Zardari është përshëndetur nga zyrtarët afganë se po bën më shumë kundër terroristëve se sa qeveria e mëparshme e gjeneralit Pervez Musharraf.

Megjithatë, ambasadori afgan në Shtetet e Bashkuara, Said Tajeb Xhavad, thotë se nuk është i sigurtë nëse ushtria e Pakistanit ka të njëjtin angazhim si qeveria.

“Problemi qëndron në faktin se qeveria civile në Pakistan është e angazhuar të luftojë ekstremizmin, por ka aftësi të kufizuara, ndërkohë që ushtria, e aftë për të luftuar, është shumë pak e angazhuar për një gjë të tillë sepse i shikon armiqtë e tjerë si shumë më të rëndësishëm se sa ekstremizmin në Pakistan”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, i cili do të qëndrojë në detyrë në administratën e presidentit Obama, tha se Pentagoni do të dërgojë 3 brigada luftarake për t’u bashkuar me forcat amerikane dhe të NATO-s tashmë në Afganistan. Rreth 30 mijë trupa amerikane ndodhen tani në Afganistan.

Por Ambasadori Xhavad thotë se nuk është thjeshtë fjala për përforcim trupash.

“Me rëndësi nuk është vetëm numri i trupave, por edhe aftësia e tyre. A kanë trupat helikopterë, pajisjet e duhuara luftarake, a janë ato të kufizuara në rang kombëtar apo nga kufizime të vetëvendosura”?

Ambasadori afgan thotë se qeveria e zotit Karzai do të vazhdojë të ndjekë një strategji politike paralele për të negociuar paqen me të paktën disa elementë talebanë. Megjithatë ai thotë se mbështetja nga jashtë për talebanet duhet të ndalojë në mënyrë që bisedimet të jenë të sukseshme.

“Në se do të ndalojë mbështetja e huaj për talebanët, ata do të jenë më shumë të gatshëm të heqin dorë nga dhuna dhe të bashkohen me procesin politik”.

Por çështja e mbështetjes së Pakistanit për militantët islamikë është acaruar edhe më shumë nga akuzat e Indisë, e cila thotë se sulmet në Bombei, ku u vranë më shumë se 170 veta, u planifikuan nga ekstremistët radikalë të Kashmirit, që zhvillonin veprimtaritë e tyre në Pakistan. (ze)

XS
SM
MD
LG