Lidhje

Dënohen në Hagë Astrit Haraçija dhe Bajrush Morina


Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi i shpalli fajtor ish ministrin e Kulturës në qeverinë e Kosovës, Astrit Haraçija dhe bashkëpunëtorin e tij, gazetarin Bajrush Morina, duke i dënuar ata përkatësisht me pesë dhe tre muaj heqje lirie.

Të dy ata u dënuan nën akuzat për mospërfillje të gjykatës dhe trysni ndaj dëshmitarëve gjatë gjykimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas akuzës Astrit Haraçija, ish Ministër i Kulturës dhe Bajrush Morina ish këshilltar politik në këtë ministri dhe redaktor me orar të pjesshëm në gazetën "Bota Sot", kanë bërë përpjekje të bindnin një dëshmitar të mbrojtur që të mos dëshmojë në procesin gjyqësor kundër ish kryeministrit Haradinaj.

Në aktakuzë thuhet se me të mësuar identitetin e dëshmitarit në korrik të vitit 2007, Haraçija udhëzoi Morinën që të udhëtonte në shtetin ku jetonte dëshmitari i mbrojtur për ta bindur që të mos dëshmojë.

Në muajin korrik të këtij viti, Gjykata dënoi me gjobë prej shtatë mijë eurosh, gazetarin nga Prishtina Baton Haxhiu, nën akuzën për "mospërfillje të Gjykatës dhe rrezikim të sigurisë së dëshmitarit dhe familjes së tij". Ai u akuzua për për publikimin e emrit të një dëshmitari të mbrojtur në procesin gjyqësor kundër zotit Haradinaj.

Procesi kundër ish kryeministrit përfundoi në fillim të muajit prill të këtij viti, kur ai u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij nga gjykata e Hagës. (ze)

XS
SM
MD
LG