Lidhje

Rud: Rusia, e prerë kundër sistemit të mbrojtjes nga raketat


Zyrtari më i lartë i administratës së Presidentit Bush për kontrollin e armëve thotë se Moska është bërë edhe më e prerë në kundërshtimin e saj ndaj sistemit që kanë propozuar të ndërtojnë Shtetet e Bashkuara në Evropë për mbrojtjen nga raketat. Siç shprehet Shefi për Kontrollin e Armëve në Departamentin e Shtetit John Rood, Moska kërkon që të vërë gjithashtu në provë qëndrimin e presidentit të zgjedhur Obama lidhur me këtë çështje. Megjithatë, zoti Rood shprehet optimist se të dyja fuqitë do të mund të arrijnë një traktat të ri për kufizimin e armëve vitin e ardhshëm.

Zyrtari më i lartë i Departamentit të Shtetit për kontrollin e armëve thotë se Moska nuk ka treguar interesim për propozimet e Shteteve të Bashkuara për krijimin e besimit për sistemin e mbrojtjes nga raketat, me sa duket me shpresën se administrata e ardhshme amerikane do të heqë dorë nga ky program.

Administrata e Presidentit Bush ka në plan të dislokojë raketa interceptore në Poloni dhe një sistem radar në Republikën Çeke për t’iu përgjigjur kërcënimit që mendohet se paraqet Irani për sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi. Por Moska e ka kundërshtuar me forcë këtë sistem duke e cilësuar si kërcënim ndaj mbrojtjes së saj strategjike.

Nënsekretari i Shtetit në detyrë për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare John Rood vizitoi Moskën në fillim të javës për të diskutuar një sërë propozimesh me synimin për të eliminuar shqetësimer ruse për planin, përfshirë edhe mundësinë që personel rus të stacionohet në të dyja objektet për të mbikqyrur operacionet. Megjithatë, zoti Rood tha në komentet për shtyp se diskutimi për mbrojtjen nga raketat nuk kishte shënuar përparim dhe se zyrtarët rusë ishin “më pak elastikë” se më parë lidhur me idenë e masave për vendosjen e besimit. Ai tha se Moska me sa duket i ka pezulluar diskutimet e mëtejshme me Uashingtonin lidhur me këtë çështje derisa të mësohet qëndrimi i presidentit të zgjedhur Barak Obama, i cili nuk është shprehur në mbështetje të planit të administratës:

“Rusët janë në pauzë, mendoj për arsye të zgjedhjes së administratës së re amerikane dhe po e analizojnë me kujdes ekipin e ri. Sipas analizës sime, rusët synojnë të vënë në provë kurajon e administratës dhe presidentit të ri dhe e ardhmja do të tregojë se ç’përgjigje do t’u japë administrata e re.”

Zoti Rood tha se administrata e re duhet të përgatitet për sfida nga Moska mbi çështjen e mbrojtjes nga raketat dhe çështje të tjera, por ai nuk dha hollësi të mëtejshme. Zëdhënës të presidentit të zgjedhur kanë thënë se ai e mbështet ngritjen e një sistemi për mbrojtjen nga raketat, por vetëm kur të provohet se teknologjia është funksionale.

Vizita një ditëshe e zotit Rood në Moskë përfshinte gjithashtu diskutime mbi një propozim amerikan që iu parashtrua qeverisë ruse në tetor lidhur me një marrëveshje të re për armët bërthamore, për të zëvendësuar Traktatin Start për Kufizimin e Armëve Strategjike, i cili skadon në fund të vitit të ardhshëm. Propozimi amerikan do të kufizonte numrin e mbushjeve bërthamore për secilën palë, një ndryshim nga traktati shumë më i ndërlikuar që është në fuqi aktualisht, i cili kufizon sisteme të transportit si avionë bombardues, nëndetëse dhe raketa inter-kontinentale.

Nënsekretari në detyrë Rood tha se Moska kërkon një traktat të ri për kufizimin e armëve konvencionale nga secila palë dhe i kishte dorëzuar delegacionit amerikan një propozim për të sqaruar qëndrimin rus. Megjithëse ai tha se misioni nuk solli ndonjë marrëveshje për temën e diskutimeve, zoti Rood shprehu optimizëm se një marrëveshje e re për armët mund të arrihet para skadimit të traktatit aktual. //ad//

XS
SM
MD
LG