Lidhje

Vdes Mark Felt, informatori i skandalit Uotergejt


Në Santa Rosa të Kalifornisë vdiq në moshën 95-vjeçare Mark Felt, burimi konfidencial, i cili ndihmoi në zbulimin e skandalit të Watergate-it, që çoi në dorëheqjen e presidentit Richard Nixon.

Felt ishte numri dy i FBI-së, kur një grup njerëzish hynë në zyrat e Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate në Hotelin Watergate të Uashingtonit në qershor të vitit 1973. I njohur me pseudonimin “Deep Throat", ai u dha informacion për këtë incident reporterëve të gazetës "Washington Post" Bob Woodward dhe Carl Bernstein. Ai i informoi gazetarët edhe mbi përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të penguar hetimet e FBI-së.

Gazetarët citonin shpesh burimin konfidencial "Deep Throat" në lajmet e tyre që nxorrën në shesh se administrata Nixon i kishte paguar njerëzit për të hyrë në zyrat e Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate. Presidenti Nixon dha dorëheqjen në vitin 1974, kur kishte filluar procesi për shkarkimin e tij.

Woodward dhe Bernstein e ruajtën me besnikëri për dekada me radhë identitetin e njeriut me nofkën "Deep Throat" deri sa vetë Mark Felt deklaroi në vitin 2005 se ky informator ishte pikërisht ai. //ii

XS
SM
MD
LG