Lidhje

Kërkesa të rrepta për firmat e prodhimit të automobilëve


Presidenti Bush njoftoi plane të një ndihme emergjente për industrinë amerikane të automobilëve, e cila ndodhet në vështirësi. Njoftimi vjen një javë pas dështimit në Senat të një pakete shpëtimi prej 14 miliard dollarësh. Plani i Presidentit Bush parashikon kërkesa të rrepta për firmat e prodhimit të automobilëve.

Presidenti Bush tha se nëse lejohet që industria e automobilëve të falimentojë, kjo do të ishte shkatërrimtare për amerikanët e thjeshtë.

"Kjo do të keqësonte më tej tregun e punës dhe do të rëndonte krizën financiare. Ajo do ta fuste ekonominë tonë në një recesion më të thellë dhe më të gjatë."


Ai tha se në rrethana të zakonshme, kompanitë që dështojnë duhet të pranojnë pasojat.

"Por këtu nuk kemi të bëjmë me rrethana të zakonshme. Në mesin e një krize financiare dhe të një recesioni, të lejosh industrinë amerikane të falimentojë, ky nuk do të ishte një veprim i përgjegjshëm."


Firmat e automobilëve do të marrin gjithsej 17,4 miliard dollarë në formë kredish që do të jepen nga paketa e shpëtimit prej 700 miliard dollarësh e miratuar nga Kongresi.

Kompanitë kanë afat deri më 31 mars për të dalë me plane ekonomike funksionale përndryshe do t’u duhet të shlyejnë sa më shpejt kredinë.

Presidenti Bush tha se çdo segment i industrisë së automobilëve – punëtorët, menaxherët dhe huadhënësit do të duhet të bëjnë lëshime që plani të ketë sukses. Kompanitë do të duhet gjithashtu të bien në marrëveshje me punëtorët për shkurtime pagash.

Në një deklaratë, Presidenti i sindikatës së automobilëve, Ron Gettelfinger i quajti të padrejta kushtet e kredisë.

Ai tha se sindikata do të punojë me adminisratën e re Obama si dhe me Kongresin e ri për të hequr këto kushte.

Megjithatë, kompanitë e automobilëve ishin optimiste.

Ja ç’thotë ekzekutivi i firmës General Motors, Rick Wagoner.

"Ky veprim do të ndihmojë të ruhen shumë vende pune dhe do të mbështesë vazhdimin e punës së firmës General Motors si dhe të shumë uzinave që prodhojnë pjesë këmbimi të cilat varen nga kompania jonë dhe nga industria jonë."


Presidenti i zgjedhur Barack Obama tha se falimentimi i industrisë së automobilëve do të kishte pasoja shkatërrimtare. Dje, ai u bëri thirrje kompanive që ta respektojnë marrëveshjen.

"Kompanitë e automobilëve nuk duhet ta humbin këtë rast për të reformuar praktikat e këqia të drejtimit dhe të fillojnë ristrukturimin afatgjatë i cili është absolutisht i nevojshëm për shpëtimin e kësaj industrie të rëndësishme si dhe miliona vendet e punës që varen prej saj."


Sekretari i Thesarit Henry Paulson do të mbikqyrë procesin e ndihmës për industrinë e automobilëve. Ai tha dje se Kongresi duhet të livrojë këstin tjetër prej 350 miliard dollarësh nga paketa federale e shpëtimit për të realizuar kredinë në favor të industrisë së makinave. //ii


XS
SM
MD
LG