Lidhje

Kina, 30 vjet pas fillimit të reformave ekonomike

  • Daniel Schearf

Kanë kaluar 30 vjet që kur Kina filloi reformat ekonomike që kanë nxjerrë miliona njerëz nga varfëria dhe e kanë bërë atë një nga vendet me zhvillimin më të shpejtë. Por këto përparime janë shoqëruar me një çmim. Mungesat në masat e mbrojtjes së mjedisit e kanë bërë Kinën një nga vendet më të ndotura dhe diferencat në të ardhurat kërcënojnë stabilitetin shoqëror.

Kina po nderon ish-udhëheqësin e saj Dëng Shjaoping si arkitektin e rritjes së shpejtë ekonomike të vendit.

Çën Uei-shjao është nga krahina e Dengut, Sëchuan. Ai thotë se reformat ekonomike të Dengut e kanë përmirësuar jetën për kinezët e zakonshëm.

“Ne ushqehemi mirë dhe vishemi mirë. Është një shoqëri që jeton mirë. Çdo gjë shkon mirë. Jam shumë i lumtur”.

Çën është turist në qytetin jugor Shënzhën, i cili ishte zona e parë e posaçme ekonomike që ofroi trajtim preferencial për investitorët dhe eksportuesit e huaj që duan të përfitojnë nga krahu i lirë i punës.

Ekonomia e Kinës që e merr shtysën nga eksporti ka nxjerrë miliona njerëz nga varfëria, por gjithashtu po thellon edhe hendekun mes të pasurve dhe të varfërve dhe po shkakton pasoja mbi mjedisin.

Ma Gjyn drejton një organizatë në Pekin që ndjek prirjet e ndotjes së mjedisit në gjithë Kinën. Ai thotë se shumë nga ata që shkaktojnë ndotjen paguajnë një gjobë të ulët që për ta është më e thjeshtë sesa të pastrojnë dhe kinezët e thjeshtë vuajnë pasojat.

“Ata që jetojnë në ato zona, njerëzit në dizavantazh, fermerët pranë qyteteve dhe fabrikave bëhen viktima që vërtet paguajnë shtrenjtë për këtë rrugë jo efikase të zhvillimit. Dhe disa herë ata paguajnë me jetë”.

Autoritetet kineze thonë se duan t’i largohen prodhimit me ndotje të lartë duke përmirësuar teknologjinë.

Por kriza financiare globale ka pakësuar kërkesën dhe ka detyruar mijëra fabrika të mbyllen, duke e bërë papunësinë një shqetësim më të madh.

Megjithë vështirësitë në rritjen ekonomike, autoritetet kineze thonë se besojnë që janë në rrugën e duhur.

Zëvendësguvernatori i Guangdongut Uan Çingliang thotë se po bëhet maksimumi për të riparuar dëmet nga vite të tëra rritjeje të pakontrolluar.

“Duke i hedhur një vështrim arritjeve të zhvillimit në tre dekadat e fundit, mendoj se është për t’u vlerësuar reforma dhe politika e hapjes”.

Deri tani udhëheqësit e qeverisë kineze kanë ndjekur një ekonomi tregu. James McGregor është analist dhe ka shkruar për reformat ekonomike të Kinës. Ai thotë se është i shqetësuar se kriza e fundit financiare mund të sjellë hapa pas për Pekinin.

“Shqetësimi është se kemi pasur këtë krizë që u shkaktua nga rënia e tregut të shit-blerjes së shtëpive në Shtetet e Bashkuara dhe faktorë të tjerë që pasuan, saqë unë kam frikë se ata mund ta humbasin konsensusin. Do të ketë nga ata në qeverinë kineze që do të thonë se nuk duhet ndjekur kjo rrugë, duke pasur parasysh atë që ndodhi në Amerikë. Mund të thonë se do të ishte mirë që të ktheheshin pas”.

Megjithëse kriza financiare në Kinë po sjell vështirësi, vendi ka ndryshuar shumë që nga ditët kur zoti Deng filloi reformat ekonomike. //ii

XS
SM
MD
LG