Lidhje

Obama përfundon emërimet për në kabinetin e tij


Presidenti i zgjedhur Barak Obama i dha dje fund emërimeve të pjesëtarëve të kabinetit të tij një muaj para betimit. Ai bëri publike emërimet për dy vendet e fundit në kabinetin e tij, Sekretaren e Punës dhe Sekretarin e Transportit.

Presidenti i zgjedhur Barak Obama tha se vështirësitë ekonomike që po kalon Amerika e detyruan atë të emëronte sa më shpejt anëtarët e kabinetit të tij.

Duke folur dje gjatë një konference në Çikago, zoti Obama emëroi zonjën Hilda Solis për postin e Sekretares së Punës. Bijë emigrantësh nga Amerika Latine, zonja Solis është përqendruar në çështjet e emigracionit gjatë kohës kur ka qënë anëtare e Kongresit amerikan.

Zoti Obama tha se gjatë tetë vjetëve të fundit, Departamenti i Punës nuk ka ndihmuar famijet punëtore. Ai tha se ka besim se gjërat do të ndryshojnë me ardhjen në këtë post të zonjës Solis.

“Kam besim për këtë pasi Hilda ka mbështetur gjithnjë të drejtat e njerëzve në nevojë. Kur mori një çmim disa vite më parë, ajo tha se kush lufton nuk mbetet gjithnjë i pëlqyer nga të tjerët, por kjo është diçka e nevojshme”.

Zonja Solis tha se po pret me padurim të punojë me presidentin e zgjedhur Obama për të rifilluar investimet në fushën e trajnimeve në vendin e punës. Ajo tha se do të mbështetëse industritë në rritje të trajnojnë punonjësit që i nevojiten duke përfshirë edhe promovimin e punëve ambjentaliste.

“Këto punë do t’i ofrojnë siguri ekonomike familjeve punëtore duke sigurur furnzimin me energji të Amerikës dhe në të njëjtën duke luftuar ndryshimet klimatike”.

Përveç emërimit të zonjës Solis, zoti Obama shpalli edhe kandidatin për postin e Sekretarit të Transportit, kongresmenin Rei LaHud. Zoti LaHud do të jetë republikani i dytë në kabinetin e zotit Obama.

“Emërimi i tij tregon frymën dypartiake e cila do të na duhet që të ecim përpara në Amerikë. Rei e ka shpalosur këtë lloj fryme gjatë viteve të tij në shërbimin publik”.

Zoti LaHud ka shërbyer më parë në Komisionin e Transportit të Kongresit.

Presidenti i zgjedhur po kështu emëroi ish kryebashkiakun e Dallasit Ron Kirk si Përfaqësuesin amerikan të Tregtisë si dhe biznesmenen Karen Mills e cila do të drejtojë Zyrën për Bizneset e Vogla. (ze)

XS
SM
MD
LG