Lidhje

Shqipëri: PD këmbëngul për projektligjin e dosjeve


Në Shqipëri, Partia Demokratike mbrojti sot sërish projektligjin për dosjet, me anë të një deklarate, që siç tha zëdhënësi Gert Bogdani, ishte në përgjigje të mashtrimeve të opozitës.

Duket se ky reagim vjen edhe si një përgjigje ndaj thirrjeve të përfaqësuesve ndërkombëtarë për ta rishikuar ligjin. Fillimisht ishte Ambasada Amerikane që deklaroi se për qeverinë e Shteteve të Bashkuara projekti ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore.

Dje pasdite ambasadori Xhon Uidhërs diskutoi për këtë çështje edhe me kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli, e cila sipas burimeve ka mbajtur një qëndrim këmbëngulës në favor të ligjit.

Po dje pasdite, edhe qeveria angleze është shprehur e shqetësuar për votimin e afërt në Parlament të projekt-ligjit, të cilin e cilëson me pasoja kushtetuese serioze dhe bën thirrje për shtyrjen e votimit të parashikuar ditën e hënë.

Por në deklaratën e zëdhënësit demokrat nuk i jepet përgjigje e drejtpërdrejtë këtyre shqetësimeve ndërkombëtare, ku flitet hapur për shkeljet kushtetuese të projektit. Indirekt, ndërsa kujton se ai është variant i zbutur i ligjit çek, zëdhënësi ka saktësuar se në Çeki është gjetur kushtetues nga gjykatat çeke, e po ashtu edhe ligji shqiptar i 1995 nga gjykata kushtetuese shqiptare dhe theksohet se edhe në variantin çek, apo në rezolutat e Këshillit të Europës janë të përfshirë edhe gjyqtarët e prokurorët.//lk

XS
SM
MD
LG