Lidhje

Bajram Rexhepi e vlerëson të qetë situatën në veri të Mitrovicës


Po mbushen dy javë që nga shtrirja e Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe pjesën veriore e banuar me shumicë serbe. Ndonëse ky mision ishte kundërshtuar nga pjesëtarët e këtij komuniteti, të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë ashpër edhe institucionet e Kosovës, autoritetet vlerësojnë se EULEX është shtrirë pa ndonjë telashe.

Kryetari i Mitrovicës, Bajram Rexhepi e vlerëson të qetë situatën në veri të Mitrovicës, ku ditëve të fundit janë shënuar incidente të herëpashershme. Në një bisedë për Zërin e Amerikës ai tha se që nga dita e vendosjes së Misionit EULEX, veprimet operacionale të UNMIK-ut kanë mbaruar dhe ato kanë kaluar nën përgjegjësinë e Misionit të Bashkimit Evropian për Policinë dhe Drejtësinë.

“Qytetarët e kanë një lloj optimizmi edhe pse ka pasur konfuzion dhe vazhdon të ketë konfuzion në lidhje me funksionimin e EULEX-it. Ata janë vendosur sipas planit të paraparë, janë vendosur edhe në pikat kufitare 1 dhe 31, janë vendosur në gjykatë, kanë filluar komunikimin me policinë e Kosovës edhe me shumicë shqiptare por edhe me ata të komunitetit serb”, tha zoti Rexhepi.

Ai tërheq vërejtjen në, siç tha ai, qarqe të caktuara të cilave nuk u shkon përshtati vendosja e sundimit të ligjit, kryesisht në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Ka grupe të caktuara të cilat aspak nuk janë të kënaqura me vendosjen e EULEX-it. Këto janë grupe ilegale të sigurisë, si strukturat e MUP-it të Serbisë, rojet e Urës, etj. Krimi i organizuar ekonomik që ka lulëzuar këto ditë dhe ata nuk janë të interesuar që të vendoset rendi dhe ligji dhe atyre u pengon… Kanë dashur që të iniciojnë incidente të ndryshme por ndoshta edhe kërkesa e qeverisë së Serbisë se është pranuar vendosja e EULEX-it ka ndikuar në një mënyrë që qytetarët mos t’i bashkëngjiten këtyre grupeve dhe është vendosur më qetë sesa që është pritur”.

Zoti Rexhepi pret që nga fundi i shkurtit Misioni EULEX të jetë plotësisht funksional edhe në pjesën veriore të Kosovës, ku institucionet e Kosovës, posaçërisht që nga shpallja e pavarësisë nuk kanë ushtruar kontrollin e tyre. Por, ai nuk përmend një afat të caktuar se kur institucionet e Kosovës do të mund të shtrijnë autoritetin e tyre edhe në atë pjesë të vendit….

“Kjo është pak vështirë të thuhet, dhe varet edhe nga veprimet në terren, megjithatë EULEX-i është urë lidhëse dhe bëhet koordinimin në këtë moment nëpërmjet EULEX-it edhe për policinë e Kosovës edhe për dogana dhe për të gjitha, dhe në kohën e duhur, kur të krijohen kushtet më të mira, sigurisht që bashkërisht me EULEX-in do të jenë edhe institucionet tona qendrore”, tha kryetari i Mitrovicës.

Veriu i vendit vazhdon të mbetet problemi më i mprehtë në Kosovë dhe sfida më e madhe për institucionet vendase e ndërkombëtare. Udhëheqësit në Kosovë thonë se kanë plane për shtrirjen e autoritetit në veri, ndërsa Misionin e Bashkimit Evropian e shohin si urë lidhëse, siç thonë ata, ndërmjet qytetarëve serbë të cilët kundërshtojnë ashpër pavarësinë e Kosovë dhe institucioneve të Kosovës. //bsa//

XS
SM
MD
LG