Lidhje

Ekonomia ruse goditet nga rënia e çmimit të naftës


Ekonomia amerikane është ndër vendet më të goditura nga kriza e tanishme globale. Rusia, një nga vendet kryesore eksportuese të naftës, ka ndjerë jo vetëm vështirësi në sistemet bankare dhe tregun e aksioneve si pjesa tjetër e botës, por edhe një rënie drastike të çmimit të naftës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Moskë, Peter Fedynsky njofton për mënyrat sesi kjo rënie ka ndikuar dhe ka ngadalësuar shumë nga aktivitetet e biznesit, megjithëse ai zbuloi një përjashtim.

Dyqanet ku lë gjera peng në shkëmbim të një huaje, janë të paktat vende ku aktiviteti është i gjallëruar këto ditë në Rusi. Konsumatorë të zakonshëm janë ata të klasës së mesme, nga 30 deri në 45 vjeç dhe aty tregëtohet flori ose bizhuteri.

Mikhail Unksov është president i Ligës së Dyqaneve të Dorës së Dytë në Rusi.

"Këta janë njerëz që nuk kanë një rrogë të regullt e të mjaftueshme".

Rritja ekonomike e Rusisë mori fund tani për tani, me rënien e tregut të aksioneve rreth 70 përqind. Rubla është në nivelin më të ulët në gati tre vjetë. Banka qëndrore në vend ka shpenzuar rreth 150 miliardë dollarë, gati 25 përqind të rezervave të saj, për të forcuar rublën dhe shtuar qarkullimin e parave në treg. Këto rezerva ishin grumbulluar kur çmimi i naftës ishte i lartë.

Gati gjysma e buxhetit rus vjen nga shitjet e naftës dhe gazit. Të ardhura të tjera nga taksat sigurohen nga furnizuesit e industrisë së energjetikës. Kështu që rënia e çmimit të naftës mund të krijojë së shpejti një defiçit buxhetor, që ndikon direkt tek rusët e punësuar nga qeveria – që përbën më shumë se gjysmën e forcës punëtore dhe familjeve të tyre.

Konsulenti për energjinë Kostantin Simonov, drejtor i Fondit për Sigurinë e Energjisë Kombëtare në Moskë thotë se prodhuesit dhe furnizuesit e naftës përbëjnë dy nga tre shtyllat ku mbështetet ekonomia e Rusisë.

"Shtylla e tretë është ajo që ndihmon në konsumimin e përfitimeve nga nafta dhe gazi. Këtu përfshihen pronarët e restoranteve, afaristët etj., pasi paratë e naftës hyjnë në ekonomi dhe përdoren për të blerë apartamente, makina dhe ushqime".

Kështu që çmimi i ulët i naftës dhe vështirësitë e kreditimit në Rusi do të thotë mungesë të ndërtimeve, shitjes së makinave dhe pak biznes për restorantet.

Kryeministri rus Vladimir Putin paralajmëroi së fundmi për vështirësi ekonomike, por i siguroi gjithashtu rusët se vendi i tyre i ka të gjitha shanset për t’i kapërcyer vështirësitë me humbje minimale.

"Volumi i madh i rezervave tona në ar na mundëson të kalojmë këto vështirësi në vendin tonë dhe në ekonominë botërore pa patur shumë luhatje".

Por zoti Putin pranoi rritjen e papunësisë, dhe ekonomistët thonë se Rusia do të boshatisë rezervat e saj në se çmimi i naftës qëndron i ulët dhe kriza ekonomike globale vazhdon më shumë se gjashtë muaj.

Në dyqanet pengut, presidenti i industrisë Mikhail Unksov thotë se 95 përqind e klientëve tërheqin përsëri mallrat që kishin lënë, që do të thotë se ende janë në gjendje të paguajnë huatë që janë mesatarisht më pak se 400 dollarë. Ai shton se shumë rusë kuptojnë gjithashtu se të lesh floririn në këto dyqane është si të hedhësh poshtë një kujtim të shtrenjtë në një varkë që po mbytet. //rd//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG