Lidhje

Instituti Ndërkombëtar i Financës: ekonomia botërore në rënie


Në Uashington, Instituti Ndërkombëtar i Financës, një organizatë e institucioneve botërore financiare, dha një parashikim negativ ekonomik. Sipas parashikimit, të gjitha ekonomitë e mëdha botërore ndodhen në gjendje të keqe, ose në recesion.

Instituti thotë se rritja globale në vitin 2009 do të kapë shifra negative për të parën herë që kur ka pasur statistika të besueshme, në vitin 1960. Rritja ekonomike parashikohet të jetë minus 0,4 për qind, më e ulët, karahasuar me rritjen prej 2 përqindësh në vitin 2008. Sipas zotit Filip Satll i cili përgatiti parashikimin ekonomik:

"Rritja ekonomike botërore do të arrijë në minus gjysëm përqindëshi dhe kjo nuk duket si një shifër shumë e lartë. Por është shumë me rëndësi të kemi parasysh se ekonomia botërore asnjëherë nuk arrin shifra negative. Diku nëpër botë ka gjithnjë rritje ekonomike për të balancuar recesionet, përfshirë këtu edhe ato në ekonomitë e mëdha industriale,” - thotë ai.

Recesioni aktual mendohet të vazhdojë tek disa prej ekonomive më të mëdha botërore, Shtetet e Bashkuara, Evropa Perëndimore dhe Japonia. Secila nga këto zona mendohet të pësojë ulje ekonomike prej 1.5 per qind në vitin 2009.

Rritja ekonomike po kështu po ulet ndjeshëm në ekonomitë në rritje. Kështu, ekonomia kineze do të ngadalësohet dhe ekonomia e saj do të rritet me 6.5%, ndërsa ajo indiane vetëm 5 per qind. Ekonomisti Satll thotë se shqetësimi i tij më i madh është se gjërat mund të përkeqësohen akoma më tej.

"Është alarmues fakti sesa shpejt ndryshuan gjërat. Vetëm tre-katër muaj më parë parashikuam ngadalësim të rritjes ekonomike, por jo recesion në shkallë të gjerë. Por gjërat kanë ndryshuar dhe kjo është parë jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në çdo ekonomi me ndikim në botë”.

Një tregues tjetër, se sa me shpejtësi po ulet aktiviteti ekonomik, është ulja dramatike e çmimit të naftës. Vetëm katër muaj më parë nafta shitej me shifrën rekord prej 143 dollarësh për fuçi. Por pakesimi i kërkesës për naftë shkaktoi rënien prej 75% të çmimit të saj, duke kapur shifrat aktuale prej 35 dollarësh për fuçi.

Parashikuesit e ekonomisë nuk bien dakord mbi kohëzgjatjen e recesionit global. Zoti Satll përshëndet vendimet e shpejta të autoriteteve amerikane. Ai beson se evropianët po lëvizin shumë ngadalë në këtë drejtim.

Instituti Ndërkombëtar i Financës, ashtu si edhe parashikuesit e tjerë të ekonomisë, nuk preferon të bëjë krahasime mes situatës së tanishme ekonomike me kohën e Depresionit të Madh në vitin 1930 kur, shkalla e papunësisë në SHBA arriti në 25 për qind. Satll thotë se papunësia në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë ka gjasa të mos i kalojë 8 përqindët.//lk


XS
SM
MD
LG