Lidhje

Sejdiu: I gatshëm të bisedoj me Beogradin, por jo për statusin


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i tha Zërit të Amerikës se është i gatshëm të takohet me udhëheqësit e Serbisë për të biseduar për temat që janë në interes të dy vendeve sovrane. Por, ai tha se asnjëherë nuk do të të hyj në bisedime për tërësinë tokësore, statusin e Kosovës apo problemet e brendshme të saj. Presidenti Sejdiu shpreh mbështetjen e plotë për praninë ndërkombëtare, e cila sipas tij nuk mund të jetë e paanshme ndaj statusit të vendit.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se viti 2008 ishte vit i pavarësisë së Kosovë, përmbushje e aspiratave shekullore të shqiptarëve nëpërmjet një procesi të bashkërenduar më komunitetin ndërkombëtarë. Pavarësia është njohur nga 53 vende dhe njohje të reja thotë ai priten edhe në vitin që po vjen. Pjesa e dytë e këtij viti ishte edhe periudhë e sfidave të shumta përfshirë edhe bashkëpunimin me praninë civile ndërkombëtarë në Kosovë.

“Kishte dilema të veçanta në pjesën e dualizmave ekzistuese mes dy misioneve ndërkombëtare dhe një anashkalim të themi i padrejtë i Kosovës në një proces të marrëveshjeve me Beogradin për Kosovën. Ne e kemi thënë se ajo marrëveshje është e papranueshme. Është shumë me rëndësi që kemi argumentuar në mënyrën më të mirë të mundshme qasjen e Kosovës për të mbështetë shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, për t’i dhënë bashkëpunimin mekanizmave të EULEX-it por në të njëjtën kohë për të pasur po ashtu të pa cenueshëm indin e saj themelor, flas shtetësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj”.

Beogradi ka bërë thirrje ndërkaq për zbatimin e një marrëveshjeje të arritur me Kombet e Bashkuara për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Presidenti Sejdiu thotë se gjashtë pikshi, i përfshirë në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara bashkë me qëndrimet e Prishtinës nuk është një dokument detyrues. Presidenti Sejdiu tërheq vërejtjen se EULEX-i nuk mund të jetë neutral ndaj zhvillimeve në Kosovë. Rezoluta 1244 sipas tij mbetet në një simbolikë.

“Natyrisht Rezoluta 1244 asnjëherë nuk ka qenë dokument kundër pavarësisë së Kosovës. Borxhi i saj ka qenë për të krijuar një situatë të re reale praktike e cila realisht është prezantuar edhe në këshillin e Sigurimit. Kini parasysh edhe raportet e përfaqësuesit special të sekretarit të përgjithshëm se është ndërtuar një realitet i ri, Kosova ka hyrë në një fazë të re dhe se ky dokument është realisht i tejkaluar. Por meqë korniza po e quajmë ndërkombëtare në vrojtimet e tyre e lyps edhe një periudhë shumë simbolike të përmendjes së saj do të thosha se mund të kombinohet në ato aspekte. Por, ajo që ne themi esencialisht, Kosova ka hyrë në një kualitet të ri, prandaj është tepër e nevojshme që të evaluohet kjo që ne kemi arritur pra një Kosovë sovrane e të pavarur, natyrisht me sfidat që ka çdo shtet në lindjen e vet".

Zëri i Amerikës: Zoti president, një vend i vogël me disa misione ndërkombëtare, me mandate të ndryshme. A po e vështirëson qeverisjen e vendit një gjë e tillë?

Fatmir Sejdiu: Sigurisht që do të ishte dëm që të zgjasë kjo periudhë më tepër. Mendoj se askush nuk dëshiron që të ketë një dualizëm apo trializëm në këtë rast të institucioneve që e qeverisin Kosovën. Në radhë të parë them se esencën e qeverisjes dhe borxhin kryesor apo barrën kryesore duhet ta bartin institucionet e Kosovës që janë të afta dhe janë të denja që të bëjnë këtë punë. Ka dy fusha që ne i kemi pa të ndjenjës së përbashkët që të kemi një mbështteje ndërkombëtare, pra fusha e sigurisë dhe sundimit të ligjit dhe kjo është besuar për EULEX-in si mandat ndërkombëtarë evropian, në këtë rast i BE-së në mbështetje, gjithmonë them me SHBA-të. Dhe ka një mision që është në përmbyllje të cilit të vet të punës, është UNMIK-u i cili nuk duhet të pretendojë dhe s’do të pajtohemi asnjëherë që të ketë procese retrograde dhe të kthimit në kompetencat e dikurshme. Unë dëgjoj tash se gjoja UNMIK-u duhet të prezantojë Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare, se gjoja UNMIK-u duhet të bëjë nominimet e veçanta të funksionarëve në sistemin e gjyqësisë. Ato janë të papranueshme.

Presidenti Sejdiu është i bindur në shtrirjen e autoritetit të Prishtinës edhe në veriun e vendit, ndërsa e cilëson me rëndësi shtrirjen e EULEX-it edhe në atë pjesë të Kosovës.

“Në këtë kuadër unë mendoj se do të bien tensionet edhe vet tek ajo pjesë e qytetarëve serb që ka mbetur deri tash peng e një politike joracionale apo çmendurake që vjen nga qarqet e Beogradit. Kini parasysh, ju lus, se ata njerëz që udhëheqin strukturat paralele, janë njerëz që këto struktura i udhëheqin tash e nëntë vjet. Struktura që janë cilësuar gjithmonë ilegale, struktura që gjithmonë kanë qenë kundër bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare dhe me qytetarët e Kosovës, struktura që s’kanë qarë kokën as njëherë për interesat edhe të qytetarëve serb, struktura që realisht, bartësit e tyre kanë edhe borxhe të tjera në kuptim të asaj sepse kanë qenë pjesëmarrës në procese jashtëzakonisht përgjakëse, qoftë në Bosnjë, qoftë në Kroaci dhe së voni në Kosovë”.

Zëri i Amerikës: A jeni të gatshëm të takoheni me udhëheqësit e Beogradit në funksion të tejkalimit të këtyre vështirësive, por edhe krijimit të një klime për atë që quhet integrim në strukturat euroatlantike?

Fatmir Sejdiu: Shikoni. E kuptoj kureshtjen e juaj. Unë jam i gatshëm me Beogradin që të takohem gjithmonë dhe të bisedoj me presidentin e Serbisë për temat që janë në interes të dy vendeve sovrane. Por asnjëherë të hyj në pazare dhe në muhabete apo biseda që do të kishin natyrën e hapjes së dialogut për pozicionet e caktuara të themi edhe territoriale të Kosovës dhe në këtë kuadër edhe për problemet e brendshme që ne kemi në këtë kuadër. Natyrisht se mesazhet për mosndërhyrje do t’i përcjellim. Do t’i përcjellim në mënyrën më të mirë të mundshme edhe përmes miqve tanë që janë tepër të angazhuar në këtë drejtim. Por s’do ta bëjë pazar apo temë çështjen e veriut të Mitrovicës për të biseduar me Beogradin për të thënë: hajde tash qysh po ia bëjmë kësaj pune? Absolutisht.//kk//

XS
SM
MD
LG