Lidhje

Ekonomia amerikane shënon rënie për të tretin tremujor

  • Majkëll Bauman
  • Uashington

Tregjet botërore u mbyllën me rezultate të përziera dje, pas thënieve se ekonomia amerikane shënoi rënie për të tretin tre-mujor me radhë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton nga Uashingtoni se administrata e presidentit Bush thotë se beson që shifrat për tre-mujorin e katërt do të jenë edhe më të dobëta.

Departmenti amerikan i Tregtisë thotë se ekonomia në Shtetet e Bashkuara shënoi rënie me një mesatare vjetore prej 0,5 përqind gjatë muajve korrik dhe shtator, duke u përputhur me parashikimet e publikuara më parë. Shpenzimet e konsumatorëve dhe eksportet ranë së bashku me fitimet e korporatave.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Toni Frejto thotë se shifrat e prodhimit të përgjithshëm në vend për tre-mujorin e tretë nuk ishin të papritura, dhe tre-mujori i tanishëm është thujse e sigurt se do të jetë edhe më i dobët.

“Tremujori i katërt, për shkak të krizës së kredive dhe tronditjes së tregut financiar, do të jetë shumë më i dobët. Ne e shohim këtë që nga të dhënat e rrogave mujore që janë deklaruar. Prandaj, ky tre-mujor do të jetë i vështirë. Ne jemi përqendruar tek zbatimi i paketës së shpëtimit të financave dhe përpjekjeve të Rezervës Federale për të nxitur rritjen ekonomike, për ta rritur mundësinë për marrjen e kredive, në mënyrë që ekonomia të rimëkëmbet përsëri.”

Shtetet e Bashkuara besohet të kenë qenë në recesion që nga dhjetori i vitit të kaluar. Gjatë asaj kohe, papunësia në vend është rritur me një përqind.
Ngadalësimi ekonomik ka bërë që bizneset të ulin çmimet me shpresën se mund të rrisin kërkesën për mallrat dhe shërbimet e tyre. Por konsumatorët nuk duken të entuziazmohen, sipas Dajen Suonk, krye-ekonomiste për kompaninë amerikane Mesirou Financial.

“Jeta po bëhet më e lirë, po fatkeqësisht vendet e punës po bëhen më të rralla. Gjithashtu, edhe ata njerëz që punojnë, po e shohin se kanë gjithnjë e më pak para”, - thotë ajo.

Shumë ekonomistë fajësojnë tregun amerikan të shtëpive si një ndër kontribuesit kryesorë të rënies ekonomike. Departamenti i Tregëtisë vazhdon të japë edhe shumë lajme të tjera të këqia në atë front, me rënien e shitjeve të shtëpive të reja rreth tre përqind në nëntor, ritmi më i ngadaltë i parë që prej 17 vjetësh.

Një pikë optimizmi për konsumatorët duket se është rënia e vazhdueshme e çmimeve të naftës. Nafta ra nën 38 dollarë për fuçi të martën, duke e shtuar rënien e thellë të çmimit, që kur ai arriti rekordin e 150 dollarë për fuçi në korrik.
Ja si shprehet analisti i energjisë Fil Flin:

“Edhe pse OPEK-u e uli prodhimin e naftës thuajse më shumë se asnjëherë në historinë e tij, kjo nuk mjaftoi për të tejkaluar rënien e kërkesës për shkak të ngadalësimit të ekonomisë globale. Prandaj çmimet vazhdojnë të jenë të ulëta.”

Por problemet ekonomike nuk i kanë vetëm Shtetet e Bashkuara. Papunësia në Poloni është rritur në mbi nëntë përqind, duke nxitur bankën qendrore të vendit të ulë interesat bankare për herë të dytë brenda disa muajve.

Shumica e tregjeve të mëdha financiare kanë parë disa përmirësime të lehta para festave. Tregu i Tokjos dhe Londrës u mbyllën me pak rritje, ndërsa Hong Kongu, Parisi dhe Frankfurti patën humbje të vogla.//lk

XS
SM
MD
LG