Lidhje

Fushata e një amerikani për të frenuar konsumin e tepërt


Disa ditë pasi një punonjës i Walmartit u shkel për vdekje nga turma e blerësve që u vërsul në dyqan kur kishin rënë çmimet, një ceremoni e thjeshtë me qirinj u mbajt pranë dyqanit për të kujtuar të ndjerin dhe për ndërgjegjësimin e publikut rreth rrezikut që sjell materializmi i tepruar. Materiali në vazhdim na njeh me një aktor, i cili e quan veten prift dhe që përpiqet të ndikojë tek blerësit për të kosumuar sa më pak.

Ceremonia në Walmart ishte një tjetër përpjekje e aktorit njujorkez Bill Talen dhe e kishës së tij, e cila quhet “Kisha e Ndalimit të Blerjeve”. E ashtuquajtura kishë e tij filloi dhjet vjet më parë kur Talen ishte i papunë, jetonte në Los Angeles e pastaj u zhvendos në qytetin e Nju Jorkut. Pasi veshi rrobën fetare iu drejtua rrugëve të Nju Jorkut duke e quajtur veten prift. Ai ishte prift i “Kishës për Ndalimin e Blerjeve”. Njeriu me pamjen e një evangjelisti vazhdon fushatën e tij e cila ka si temë protestën ndaj kosumit të tepruar.

“Jemi të dhënë pas blerjeve si pijanecët pas alkolit. Përpiqemi të mbushim një boshllëk në shpirtin tonë me gjëra që blejme në dyqan.”

Ai paralajmëron rreth ardhjes së kataklizmës blerëse....vdekje nga mbikonsumi. Kjo sipas tij, ngjason me krizën e tanishme ekonomike.

“Na është thënë nga qeveritë, nga institucionet fetare, nga ato ekonomike---dhe patjetër të gjitha korporatat gjithashtu na kanë thënë që të blejmë derisa të lodhemi.”

Sipas tij, zgjidhja e vërtetë është të heqim dorë nga blerjet dhe të fillojmë të ndërtojmë marrëdhënie më të mira me njëri-tjetrin.

“ Duhet folur me njerëzit dhe ata duhen dëgjuar.”

Ai i thekson këto vlera në dokumentarin e vitit 2007, “Çfarë do të blinte Jezusi”. Filmi ndjek “Kishën e Ndalimit të Blerjeve” në një turne me autobus në Shtetet e Bashkuara gjatë Krishtlindjeve. Gjatë rrugës trupa improvizon çfaqje në dyqane, kisha dhe nëpër parqe.

Gjatë një ndalese në Disney Land, Talen dhe trupa e tij nxirren nga parku nga policia. Ai nuk është njeri fetar por ka besim.

“Ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin të ngadalësojmë konsumizmin. Kjo duhet bërë shumë shpejt. Duhet të ndryshojmë.”

Me urtësinë dhe zgjuarsinë e tij, Talen planifikon të vazhdojë të shperndajë ungjillin e “Kishës për Ndalimin e Blerjeve”. Ai shpreson ta bëjë botën një vend më të mirë, jo vetëm gjatë Krishtlindjeve por gjatë gjithë vitit. //kh//

XS
SM
MD
LG