Lidhje

Biden: Administrata e re do të krijojë 3 milionë vende pune


Nënpresidenti i zgjedhur Xhozef Biden thotë se ekipi i ardhshëm ekonomik në Shtëpinë e Bardhë po përparon drejt një marrëveshjeje për hollësitë e një plani të stimulimit të ekonomisë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, këshilltarët e Presidentit të zgjedhur Barak Obama po e rrisin shifrën për vendet e punës që ata parashikojnë të krijojnë:

Pasi u takua me ekipin ekonomik, zoti Biden tha dje se në SHBA do të shkurtohen një numër më i madh vendesh pune nga sa prisnin ekspertët më parë, prandaj dhe nevojitet një paketë më e madhe stimujsh.

"Përkeqësimi i tregut të punës në vend e ka detyruar presidentin e zgjedhur ta udhëzojë ekipin tonë ekonomik, disa prej të cilëve janë mbledhur sot këtu, për ta rritur shifrën e synuar në planin e stimujve nga 2,5 milionë vende pune në 3 milionë, gjatë dy vjetëve të ardhshëm", - tha ai.

Ish Sekretari i Thesarit gjatë presidencës së zotit Clinton, Larry Summers, që do të udhëheqë Këshillin Kombëtar të Ekonomisë në administratën e zotit Obama, u tha gazetarëve se duhet marrë një vendim i guximshëm pa humbur kohë.

"Pa marrjen e një veprimi të rëndësishëm politik, ne ndoshta do të ndesheshim me krizën më të rëndë ekonomike që nga koha e Luftës së Dytë Botërore", - tha ai.

Ekipi ekonomik i zotit Obama dhe demokratët që kontrollojnë Kongresin po përpiqen të bien dakord lidhur me hollësitë e planit në kohë, që ligjvënësit të votojnë për të në fillim të janarit. Ata shpresojnë që ta kenë planin gati, në mënyrë që zoti Obama të marrë vendime sa më shpejt, pasi të fillojnë nga detyra më 20 janar.

Nënpresidenti i zgjedhur Biden thotë se administrata e re dhe udhëheqësit e Kongresit janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje lidhur me përmasat e paketës së stimujve dhe se si do të shpërndahen paratë. Ai thotë se presidenti i zgjedhur dhe këshilltarët e tij duan të shpenzojnë një pjesë të madhe të parave për ndërtimin e infrastrukturës së vendit.

"Ky plan do të përqëndrohet tek investimet në shëndetësi, arsim dhe energji, mes fushave të tjera. Ai do të drejtohet tek investimet e rëndësishme në rrugët dhe urat. E di që flitete se ne po investojmë në disa programe që ekzistojnë tashmë. Por ne e kemi lënë pas dore infrastrukturën për një kohë shumë të gjatë, duke filluar nga rrugët e urat, prandaj ka kuptim që të investojmë për to tani",- tha ai.

Kostoja e planit të stimujve të propozuar vlerësohet të jetë 650 deri në 850 miliardë dollarë. Zoti Biden thotë se taksapaguesit amerikanë mund të ndjehen të sigurtë se paketa nuk do të përmbajë projekte të interesave të veçanta, të cilat ligjvënësit shpesh ja bashkangjisin ligjeve të shpenzimeve.

"Paketa e stimujve nuk do të jetë si zakonisht, e lidhur me interesat politike. Ne nuk do të lejojmë që në Washington të bëhen punët si zakonmisht. Po shprehem qartë, në plani e rimëkëmbjes ekonomike nuk do të përdoret në asnjë rastnuk do të lidhet me interesa të caktuara."- tha zoti Biden.

Ndërkohë, Departamenti i Tregtisë njoftoi se produkti i përgjithshëm bruto i vendit, apo GDP, vlera e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara npë SHBA, u tkurr me një ritëm vjetor prej 0,5 për qind në tremujorin e kaluar, korrik-shtator.//lk



XS
SM
MD
LG