Lidhje

Në kujtim të këngëtares legjendare Eartha Kit


Këngëtarja dhe aktorja Eartha Kitt vdiq më 25 dhjetor në moshën 81-vjeçare. E famshme për zërin e saj sensual, ajo ka interpretuar në klube muzikore dhe në skenën e operetave apo në shfaqje televizive muzikore prej dekadash. Ajo mori famë që në moshën 22 vjeçare, por karriera e saj thuajse u shua pas një komenti politik që ngjalli shumë polemika në Shtetet e Bashkuara. Sot ajo kujtohet si një artiste me një stil unik dhe të paharrueshëm:

Regjisori i famshëm i filmave Orson Welles e pat cilësuar Eartha Kitt si gruan më ekzaltuese të botës. Një tjetër admirues i saj e përshkruante atë si një kombinim që të luan mendsh. Ajo që e bënte tërheqëse Earthan ishte zëri i saj sa i butë, aq edhe sensual, një fytyrë dhe një trup me zhdërvjellësinë e maces dhe mënyra shumë direkte e komunikimit.

Eartha Kitt lindi në një familje të varfër afrikano-amerikane në jug të Shteteve të Bashkuara në vitin 1928. Ajo ishte bija e një nëne zezake dhe e një babai të bardhë që kishte përdhunuar të ëmën kur ishte vetëm 14 vjeç. E ëma u martua kur Eartha ishte 8 vjeç. Njerku, i cili nuk e donte vajzën rrotull, e dëboi nga shtëpia dhe ajo përfundoi në Nju Jork me një teto. Ajo fliste shpesh për traumën që i kishte shkaktuar braktisja nga prindërit:

"Pasi nuk më kishin dashur prindërit, gjithmonë kisha ndjenjën se asnjë nuk do të më pranonte. Gjithmonë isha si e fshehur dhe vazhdoj të jetoj me frikën se nuk do të më pranojnë."

Kur ishte 16 vjeçe, Eartha Kitt u zgjodh si balerinë në një kompani të njohur valltarësh afrikano-amerikanë e kryesuar nga Katherine Dunham. Në një turne në Evropë me trupën, u zbulua edhe talenti i Earthas si këngëtare. Zëri i saj sensual e bëri shumë shpejt të famshme në klubet e Parisit. Ajo kapte shumë lehtë edhe gjuhët e huaja dhe ka arritur të interpretojë në 8-9 gjuhë të ndryshme.

Kur Eartha Kitt u zgjodh si protagoniste për një shfaqje muzikore të Broduejt me titull “New Faces of 1952” ajo mori famë edhe në vendin e vet, Shtetet e Bashkuara. Regjistrimet e saj ishin në krye të klasifikimeve muzikore të asaj kohe dhe ajo u bë ndër këngëtaret më të paguara.

Por në vitin 1968, kur fama e saj kishte arritur kulmin, karriera e saj u ndërpre vetëm për një koment që bëri në një drekë në Shtëpinë e Bardhë. E shoqja e presidentit amerikan Lindon Xhonson, kishte ftuar Eartha Kitt dhe një grup grash për të diskutuar problemet e rinisë amerikane. Kur zonja Xhonson kishte pyetur grupin se çfarë mendonin, Eartha kishte folur kundër Luftës së Vietnamit, ku të rinj afrikano-amerikanë po luftonin dhe vriteshin në shifra më të larta se përfaqësonin në popullatë. Incidenti u njoftua nga shtypi amerikan dhe e dëmtoi rëndë karrierën e Earthës.

Vite më pas u mësua se menjëherë pas komentit, Presidenti Lindon Xhonson kishte urdhëruar FBI-në dhe CIA-n të hetonin lidhjet e Earthas dhe e kishin futur atë në listën e zezë. Kontratat e punës u ndërprenë dhe emri i saj u zhduk nga jeta publike.

Vetëm nga fundi i viteve ’80 karriera e saj filloi të ringjallej dhe në vitin 1996 ajo ishte kandidate për çmimin Grammy. Në atë kohë ajo po u afrohej të 70-ave, ishte gjyshe, por vazhdonte të jepte shfaqje: All by Myself Këngëtarja legjendare Eartha Kitt vdiq në Ditën e Krishtlindjes, një konçidencë mjaft interesante, pasi ajo ka qenë interpretuesja origjinale e një prej këngëve shumë të suksesshme të sezonit të festave, me titull “Santa Baby”. Interpretimi i saj ka vazhduar për dekada të frymëzojë artistet e reja.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG