Lidhje

Protesta kundër dhunës në Rripin e Gazës


Mijëra protestues anti-izraelitë u bashkuan anembanë Lindjes së Mesme për të dënuar ofensivën izraelite kundër grupit extremist palestinez, Hamas në Rripin e Gazës.

Demonstrata të mëdha u zhvilluan në Egjipt, Jordani, Liban, Siri dhe Jemen. Disa protestues dogjën flamurin e Izraelit dhe aleates së tij Shteteve të Bashkuara, duke akuzuar të dy këto vende se janë angazhuar në terrorizëm.

Shumë demonstrues u kërkonin gjithashtu udhëheqësve arabë të ndërmarrin një përgjigje më të rreptë ndaj sulmeve izraelite në Gazë.

Lidhja Arabe ka në plan të mbajë të premten e ardhshme një takim urgjent të nivelit të lartë në Katar rreth gjendjes në Gazë.

Ndërkohë, në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, disa protestues gjuajtën me gurë kundër ambasadës së Egjiptit, të zemëruar që Kairo nuk po mbështet Gazën. Policia libaneze hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Kryeministri i Turqisë, një aleat tjetër i Izraelit e kritikoi ofensiven, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për paqen në Lindjen e Mesme. Agjencia zyrtare turke e lajmeve Anatolia tha gjithashtu se kryeminsitri Rexhep Taip Erdogan e akuzoi shtetin hebraik se po përdor forcë të tepruar.//mm//

XS
SM
MD
LG