Lidhje

225 të vrarë në Gazë nga goditjet ajrore izraelite


Ushtria izraelite ka nisur një sulm të shkallës së gjerë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me mortaja dhe raketa palestineze. Mbi 225 vetë kanë gjetur vdekjen nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, të kontrolluar nga Hamasi. Avionë dhe helikopterë luftarakë izraelitë shkatërruan më shumë se 40 objekte të sigurisë në të gjithë Gazën përfshirë edhe një kamp ushtarak ku gjendeshin rekrutë të rinj të Hamasit. Sulmet po vazhdojnë edhe sot ku u shkatërrua një xhami në Gaza dhe u vranë dy vetë. Sipas zyrtarëve izraelitë xhamia po përdorej si bazë për sulme terroriste. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u takuan dje në Nju Jork për të diskutuar situatën e krijuar. Shtetet e Bashkuara po fajësojnë grupin militant Hamas për thyerjen e armpushimit dhe për sulmet ndaj Izraelit. Ata bënë thirrje për rivendosjen e armpushimit dhe kërkuan nga Izraeli të shmangë viktimat civile. Edhe në botën arabe ka pasur dje reagime të forta. Bashkësia ndërkombëtare kërkoi rivendosjen e menjëhershme të qetësisë.

Shtëpia e Bardhë bëri dje thirrje për rivendosjen e armpushimit, pas ditës më të përgjakshme prej vitesh në Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Gordon Xhondro tha se sulmet e Hamasit, një organizatë që Shtetet e Bashkuara e quajnë terroriste, janë fare të papranueshme. Ai tha se Izraeli ka të drejtën të mbrojë popullin e vet kundër terroristëve dhe e quajti organizatën e Hamasit një grup vandalësh. Ai i bëri thirrje Izraelit të shmangë goditjen e civilëve.

"Izraeli ka thënë se po godet elemente të sigurisë dhe të shtabit të përgjithshëm të Hamasit. Kemi kërkuar nga Izraeli të shmangë goditjen e civilëve. Duam që armpushimi të rivendoset. Por e kuptojmë që Izraeli po reagon ndaj qindra raketave të hedhura nga Hamasi drejt njerëzve të pafajshëm në Izrael gjatë ditëve të fundit”.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs fajësoi Hamasin për thyerjen e armpushimit. Zonja Rajs tha se armpushimi duhet të rivendoset menjëherë dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të merren me nevojat urgjente humanitare në Gaza.

Edhe në botën arabe pati reagime të menjëhershme. Zëdhënësi i Hamasit Favi Barhum tha se Izraeli duhet siç tha ai të paguajë për këtë akt agresioni.

Presidenti palestinez Mahmud Abaz i dënoi sulmet ajrore dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe Amir Musa tha se organizata e tij ndjehet e shokuar nga sulmet ajrore dhe i dënon ato. Ai i quajti sulmet të paimagjinueshme dhe të papranueshme.

Lidhja Arabe do të mbajë sot një mbledhje të jashtzakonshme për të diskutuar situatën e krijuar. Egjipti po kështu i dënoi sulmet ajrore dhe tha se do të hapte kufijtë e vet me Gazën për të lejuar transportimin e një pjese të të plagosurve. Protestues në kryeqytetin Aman të Jordanisë dënuan sulmet ajrore.

Ministrja e jashtme izraelite Tzipi Livni mbrojti veprimet e Izraelit dhe bëri thirrje për mbështetje dhe mirëkuptim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

"Bashkësia ndërkombëtare e kupton se Hamasi është një organizatë ekstremiste islamike që përhap urrejtjen në të gjithë rajonin dhe që mbështetet nga Irani. Dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të kuptojë se Izraeli po vepron në mbrojtje të vendit dhe se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër”.

Kombet e Bashkuara, kryeministri britanik, Gordon Braun, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana dhe i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Toni Bler bënë thirrje për rivendosjen e menjëhershme të qetësisë.

Një zëdhënës i Vatikanit i bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve “të gjejnë një zgjidhje paqësore edhe pse kjo gjë mund të duket e pamundur në rrethanat e tanishme”.

Rusia po kështu i bëri thirrje Hamasit të ndalë sulmet me raketa dhe kërkoi nga Izraelit t’i japë fund operacioneve ushtarake në Gaza.

Por nuk duket se Izareli është i gatshëm të tërhiqet nga Gaza. I pyetur nga një gazetar sesa do të zgjaste ky operacion ushtarak, ministri izraelit i mbrojtjes Ehud Barak tha se operacioni do të kërkojë kohë dhe se do të zgjerohet sipas nevojave. //ad//

XS
SM
MD
LG