Lidhje

Fondacioni Klinton dhe detyra e re e Hillari Klinton


Tani që Senatorja Hillary Klinton është emëruar nga Presidenti i zgjedhur Barak Obama në postin e sekretares së shtetit, publikimi i listës së donatorëve të fondacionit që drejton bashkëshorti i saj, Bill Klinton, ka shkaktuar një farë habie. Nga kjo listë del që disa qeveri të Lindjes së Mesme kanë dhënë miliona dollarë për këtë fondacion. Po kështu edhe disa individë të njohur, duke përfshirë edhe politikanë të huaj. Disa vëzhgues thonë se zonja Klinton, nëse konfirmohet nga Senati si Sekretare Shteti, mund të vihet përpara pyetjeve për veprimet që do të ndërmarrë kur të jetë në këtë post pikërisht për shkak të donacioneve që individë apo qeveri të ndryshme kanë bërë për Fondacionin Klinton.


"Ajo ka një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe një etikë pune për ta patur zili,” u shpreh Presidenti i zgjedhur Obama kur prezantoi zonjën Klinton në postin e ri.

Senatorja Hillary Klinton, nëse konfirmohet nga Senati, do të vijë në këtë post me një përvojë jo thjesht si senatore. Sepse ajo ka për bashkëshort një ish president që ka shërbyar dy mandate radhazi dhe që është themelues i Fondacionit Uilliam Xheferson Klinton. Donatorë ndërkombëtarë, përfshirë këtu disa qeveri, i kanë dhënë fondacionit miliona dollarë për të financuar bibliotekën e tij presidenciale dhe projekte të ndryshme humanitare.

Bill Klintoni nuk është i vetmi president që vepron kështu. Paraardhësi i tij, Xhorxh Herbert Ualker Bush, bëri të njëjtën gjë, thotë profesori Henry Nau i Universitetit Xhorxh Uashington.


"Ai ngriti një bibliotekë presidenciale. Njerëz të ndryshëm dhanë kontribute për këtë bibliotekë. Njerëzit kontribuan për aktivitetet e tij pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë. Më pas, djali i tij, George Bush, u bë president. Nuk mbaj mend të ketë patur ndonjë shqetësim në atë kohë për faktin se kush dhe sa kishte kontribuar për të atin e tij e që mund të kishte ndikuar në këtë apo atë mënyrë mbi vendimet që do të merrte i biri.”

Por ajo që i ndan Presidentin e parë Bush me Presidentin Klinton është fakti se si perceptohen ata nga publiku, sipas analistit të Institutit Kato, Xhohn Samples.

"Kemi të bëjmë këtu me një ish president i cili ka patur probleme etike, si brenda edhe jashtë vendit." - thotë ai

Mbreti i Arabisë Saudite Abdullah i ka dhënë fondacionit midis 10 dhe 25 milion dollarë. Qeveritë e Kuvaitit, Katarit, Omanit, Norvegjisë, Australisë dhe Bruneit, kanë dhënë gjithashtu shuma të mëdha parash. Por sipas profesor Naut, këto donancione nuk duket të jenë me natyrë politike.

"Këto vende i kanë dhënë paratë përgjithësisht si shenjë e vullnetit të mirë. Ato janë pjesë e sistemit global, e komunitetit global. Ato kanë lidhje të veçanta me Shtetet e Bashkuara.

Por për të shmangur pikëpyetjet që mund të lindin, për shembull se zoti Klinton mund të ketë ndikim mbi veprimet e zonjës Klinton si sekretare e shtetit, ekipi i tranzicionit i zotit Obama nënshkroi më 12 dhjetor një marrëveshje me Fondacionin Klinton.

Kushtet e marrëveshjes përfshijnë publikimin e emrave të donatorëve në të kaluarën dhe të kontributeve të reja çdo vit. Fondacioni do të lejojë që zyrtarët e etikës në Departamentin e Shtetit të shqyrtojnë me hollësi të gjitha donacionet në Fondacionin Klinton. Ndërkohë, programi Nisma Globale Klinton, i cili merret me punë humanitare jashtë vendit dhe është pjesë e këtij fondacioni, nuk do të lejohet të marrë para nga qeveritë e huaja.

Sipas zotit Xhon Samples, kjo marrëveshje është me rëndësi për të gjitha palët.

"Deklarimi i donatorëve dhe konsultimi me Departamentin e Shtetit është përpjekje për të siguruar se njerëzit që marrin vendime politike, që nga zonja Klinton në Departamentin e Shtetit e deri në Shtëpinë e Bardhë, do të jenë plotësisht në dijeni se cilat janë aktivitetet e zotit Klinton si qytetar privat dhe se si duhet vepruar që këto aktivitete të mos ndikojnë mbi politikat e qeverisë amerikane."

Disa vëzhgues thonë se me marrëveshjen mes zotit Obama dhe Fondacionit Klinton, problemi i përshtypjes që mund të krijohet se donatorët mund të ndikojnë mbi veprimet e Sekretares së Shtetit lehtësohet mjaft. Profesor Henry Nau citon si shembull njërin prej donatorëve, Kuvajtin.

"Ndoshta, deklarimi i emrave do të bëjë që këto donacione të kenë më pak ndikim sepse ato do të jenë të publikuara kur zonja Klinton të ketë punë me këto vende. Dhe, mendoj se do të ishte e dobishme nga ana tjetër nëse media bën detyrën e saj duke i kujtuar lexuesit apo shikuesit se janë dhënë këto apo ato donacione ndërkohë që zonja Klinton trajton çështje të cilat mund të kishin rrjedhoja të caktuara për qeverinë kuvajtiane, për shembull.” - thotë profesor Nau

Profesor Nau shton se media, e cila vëzhgon me kujdes sa herë që ka çështje të debatueshme, me siguri që do të vëzhgojë me kujdes edhe veprimet e zonjës Klinton si sekretare shteti dhe do të ngrejë pikëpyetje sa herë që në horizont të shfaqen probleme. //mm//

XS
SM
MD
LG